Ulqini mbrëmjen e së martës është përballuar me disa minuta tmerri shkaktuar nga erërat e fuqishme

Lajme

Ulqini mbrëmjen e së martës është përballuar me disa minuta tmerri shkaktuar nga erërat e fuqishme

Nga: Gjekë Gjonaj Më: 10 korrik 2019 Në ora: 15:02
Ulqin

Mbrëmë   pak para orës 23 filloi të fryjë një ciklon, i cili për më pak se një gjysmë ore shkaktoi dëme jashtëzakonisht të mëdha materiale, por për fat nuk pati viktima e njerëz të lënduar. Nga fuqia e erës, e përcjellë me shi shumica e rekuizitave  në Plazhin e Madh pothuaj plotësisht janë  dëmtuar.

Më së shumti pësoi plazhi “Kopakabana” Sipas fjalëve  të qiramarrësit të plazhit  Prelë Shkrelit  dëmi i shkaktuar llogaritet afro 50 mijë euro. Ai shprehet  i habitur dhe i shqetësuar me atë çfarë i ka ndodhur atij dhe kolegëve të tjerë.

“Diçka të tillë, për një kohë aq të shkurtër, nuk kam përjetuar në jetën time, thotë Shkreli. Vëllai i tij Mark Shkreli përmes disa fotografive të dërguara  fakton gjendjen  e mjerueshme në plazhin e vet “ Giovanni's Beach.

Image
Parkingu poshtë Kalasë së Ulqinit

Cikloni i mbrëmshëm  nxorri me rrënjë  shumë drunj në Adë, Shtoj, Pinjesh, Liman, Meteriz, nën Kalanë e Ulqinit, theu ullinj,  dëmtoi disa çati të vendbanimeve të ndryshme,  shkatërroi disa automjete të parkauara,  shkaktoi ndërprerje të energjisë elektrike. Përmbytet  shëtitorja  në  Plazhin e  Vogël.  Një nga objektet e hotelit “ Mediteran” ka mbetur  pa çati ...

Kryeshefi i Njësisë së Mbrojtjes dhe Shpëtimit Saubih  Mehmeti thotë  se punonjësit e saj  qysh në orën katër të mëngjesit të sotëm  ndodhen në terren për të normalizuar sadopak situatën. Atyre u janë bashkëngjitur edhe punonjësit e Elektroekonomisë së Malit të Zi dhe të Ndërmarrjes Komunale.

Image
Hoteli “Mediteran” ka mbetur pa çati pas stuhisë

Banorët  e vendbanimeve ku janë shkaktuar dëmet prej sot kanë kërkuar ndihmë urgjente nga organet kompetente.  Sekretari i Sekretariatit për Ekonomi në Komunën e Ulqinit Agron Ibrahimi na tha se të gjithë qytetarët e dëmtuar mund te lajmërohen  pranë këtij sekretariati , i cili, cili, siç theksoi ai,  me seriozitet do të shqyrtojë çdo kërkesë të tyre.

Foto: Mark Shkreli

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat