Sipas Auditorit 37 mijë biznese janë të pafiskalizuara, ATK thotë se nuk ka shifra!

Lajme

Sipas Auditorit 37 mijë biznese janë të pafiskalizuara, ATK thotë se nuk ka shifra!

Më: 13 korrik 2019 Në ora: 22:14
ilustrim

Zyra Kombëtare e Auditimit në një raport të saj për Administratën Tatimore ka theksuar ngecjen në procesin e fiskalizimit.

 Sipas auditorit, në Kosovë janë 37 mijë e 433 të cilat duhet të fiskaliziohen e që nuk janë fiskalizuar ende.

Ndërsa, duke u bazuar në numrin e përgjithshëm të bizneseve që është 63,025, kjo i bie që gjysma e bizneseve janë të pafiskalizuara.

“Sipas të dhënave të ATK-së numri i përgjithshëm i bizneseve që ushtrojnë aktivitete biznesore është gjithsej 63,025. Prej tyre, biznese të fiskalizuara janë 23,271, biznese që nuk janë të fiskalizuara janë 39,754, ndërsa numri i bizneseve të cilat nuk kërkohet të fiskalizohen është 2,321.Nga kjo i bie që numri i përafërt i bizneseve që duhet të fiskalizohen e që nuk janë fiskalizuar është afërisht 37,433”, thuhet në raportin e Auditorit.

 Sipas zyrtarëve përgjegjës, kjo kishte ndodhur për shkak të kufizimeve në burime njerëzore. Mirëpo, ndryshe deklarohen nga ATK.

Indeksonline u ka dërguar pyetje lidhur me numrin prej 37 mijë bizneseve që sipas ZKA-së janë të pafiskalizuara.

Në një përgjigje nga Zyra për Informim në ATK thonë se nuk kanë shifra se sa biznese veprojnë pa fiskalizim, pasi është “proces permanent, i cili duhet të shtrihet ose implementohet me ardhjen e bizneseve të reja në treg”.

Derisa theksojnë se kanë kërkuara nga ZKA sqarime për statistikat e përfshira në raport.

“Sa i përket pjesës së të gjeturave nga Zyra Kombëtare e Auditimit ne si administratë tatimore kemi përcjell një shkresë zyrtare tek ZKA, përmes së cilës kemi kërkuar që të marrim një sqarim për shifrat e publikuara, pasi që nuk janë shifrat zyrtare. Po ashtu, sa i përket pjesë së bizneseve të pa-fiskalizuara, ne nuk mund të japim ndonjë shifër meqë procesi i fiskalizimit është proces permanent, i cili duhet të shtrihet ose implementohet me ardhjen e bizneseve të reja në treg. Veç tjerash, duhet pas parasysh se në kuadër të biznese që paguajnë dhe deklarojnë tatimet në ATK-në një pjesë e tyre janë ndërmarrje publike- ku disa prej tyre janë të liruara nga procesi i fiskalizimit, me pas kemi sektorin e bankave, si dhe pjesa tjetër e bizneseve të cilat çdo pagës e bëjnë përmes transaksioneve bankare, ku rrjedhimisht edhe nuk janë të obliguar të fiskalizohen”, thuhet në përgjigjën e tyre.

Tutje, në përgjigjen e tyre, deklarojnë se fiskalizimi do duhej të bëhej më shumë, por që kanë një numër të kufizuar të inspektorëve.

“ATK ka parasysh që duhet të behët më shumë në shtrirjen e fiskalizimit, mirëpo siç e dini kemi numër të kufizuar të inspektorëve, andaj edhe pamundësohet monitorim më i madh i bizneseve sa i përket fiskalizimit”, thuhet mes të tjerash në përgjigje.

Mirëpo, sipas Auditorit, mos identifikimi i saktë i bizneseve dhe mos pajisja e tyre ma arka fiskale, ka si pasojë mungesën e kontrollit mbi të hyrat e bizneseve, shmangien e mundshme tatimore, si dhe rezulton me një konkurrencë jo të barabartë ndërmjet bizneseve që zhvillojnë aktivitete të caktuara.

“Drejtori i Përgjithshëm duhet të ndërmarrë veprimet e nevojshme, që të analizoj strukturën e bizneseve të pa fiskalizuara, dhe varësisht nga volumi i të hyrave që ato gjenerojnë gjatë vitit, të përcaktoj planin e prioriteteve për pajisjen e bizneseve me arka fiskale konform kërkesave ligjore”, thuhet mes të tjerash në raport. Sipas ATK-së, numri i bizneseve të fiskalizuara deri në dhjetor 2018 ka qenë 30,013, me 42,988 pajisje elektronike fiskale të instaluara.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat