Kush ishte Gani Rama – burri rom që u vra të shtunën në qendër të Prishtinës

Lajme

Kush ishte Gani Rama – burri rom që u vra të shtunën në qendër të Prishtinës

Më: 25 korrik 2019 Në ora: 12:30
Gani Rama

Të shtunën e javës së kaluar, Gani Rama nga komunitetit rom, i cili për shumë vite jetonte në Göttingen të Gjermanisë, mbeti i vdekur në qendër të Prishtinës. Ai u rrah brutalisht nga tashmë i arrestuari Nexhat Blakqori që është i dyshuar për vrasjen e tij.

45 vjeçari u gjet i keqtrajtuar, pa shenja jete dhe me plagë të rënda në trup në nënkalimin e rrugës “Bill Clinton” në kryeqytet.

Ganiu ishte arratisur nga Kosova pas bombardimeve gjatë luftës së fundit në Kosovë. Më 1999 ai mbërriti në Gjermani ku u takua me gruan e tij, e cila jetonte atje që nga viti 1990. Ata kanë 5 vajza, njoftojnë nga Shoqata Rome.

Në janar të vitit 2010, sipas kësaj shoqate ai u arrestua për herë të parë nga autoritetet gjermane dhe u deportua për në Kosovë. Por në shtetin e saposhpallur, ai bëri jetë të vështirë. Përveç që ishte i pastrehë, ai u rrah dhe u keqtrajtua disa herë. Këtë e kishte deklaruar vetë Ganiu në vitin 2010 dhe 2012, kur Qendra Rome e kishte vizituar atë.

Ganiu i kishte thënë Qendrës Rome atë kohë se një fqinj e kishte kërcënuar atë duke i thënë: “Nëse të shoh përsëri në rrugë, do të të vras”.

Qendra Rome përmes një deklarate për media thotë se Ganiu kishte shkuar në Polici, por nuk kishte marrë asnjë ndihmë.

Edhe një herë tjetër ai shkoi përsëri ilegalisht në Gjermani, ku u arrestua. Por këtë herë nuk mund të dëbohej, pasi u diagnostifikua me sëmundjen e tuberkulozit, e cila ia kërcënonte jetën. Sipas Qendrës Rome, ai qëndroi në spital për disa muaj, ndërsa më 12 prill 2011, gruaja dhe vajzat e tij u dëbuan nga Gjermania. Pasi u lirua nga spitali, edhe Ganiu u deportua për në Kosovë.

Familja jetoi në kushte të këqija pas kthimit në Kosovë. Gruaja e Ganiut u përpoq që të gjente punë, por nuk mundi të punësohej as si pastruese.

Shëndeti i Ganiut mbeti i dobët, teksa familja bëri edhe një përpjekje për të jetuar në Gjermani. Ata ia mësyen përsëri shtetit gjerman dhe mbërritën prapë në shtetin ku insistonin të jetonin.

Më 24 maj të vitit 2017, Gani Rama u deportua për herë të fundit për në Kosovë. Prej atëherë, ai jetoi i vetëm, pa familjen e tij, deri të shtunën e kaluar, kur u rrah për vdekje te nënkalimi kryesor i Prishtinës, për motivet të cilat Policia ende nuk i di.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat