Ja çfarë i tha Hahn, Vuçiqit për dialogun me Kosovën

Lajme

Ja çfarë i tha Hahn, Vuçiqit për dialogun me Kosovën

Më: 25 korrik 2019 Në ora: 22:15
Johannes Hahn dhe Aleksandar Vuçiq

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq është takuar me komisionerin Johannes Hahn.

Gjatë ditës së sotme, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, është takuar me Komisionerin Evropian për Politikat e Fqinjësisë dhe Negociatat për Zgjerim, Johannes Hahn.

Temë kryesore e këtij takimi ka qenë dialogu Kosovë-Serbi si dhe anëtarësimi i Serbisë në Bashkimin Evropian.

Siç shkruajnë mediet serbe, në këtë takim komisioneri Hahn është shprehur i gatshëm që të ndihmojë vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi dhe se Vuçiq e ka falënderuar për përfshirjen e tij në këtë çështje.

Përveç ngërçit në dialogun Kosovë-Serbi, Vuçiq dhe Hahn kanë biseduar edhe për situatën aktuale në rajon e në veçanti për situatën e krijuar pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit.

Sipas raportimeve të medieve serbe, Vuçiq ka theksuar se Serbia gjithmonë ka reaguar me qetësi dhe përgjegjësi dhe se ka përgëzuar e falënderuar komisionerin Hahn për angazhimin e tij rreth zhbllokimit të dialogut Kosovë-Serbi.

Vuçiq gjithashtu përsëriti se Serbia mbetet e angazhuar në politikat e paqes dhe bashkëpunimit, në mënyrë siç u shpreh ai, që të ruajë stabilitetin në rajon.

Në anën tjetër, komisioneri Hahn, ka përgëzuar angazhimin e Serbisë për të ruajtur stabilitetin rajonal.

Ai përsëri theksoi gatishmërinë e tij dhe përpjekjet për të ndihmuar rreth kushteve për vazhdimin dhe zhbllokimin e dialogut Kosovë-Serbi.

Në anën tjetër, sa i përket integrimit të Serbisë në BE, Hahn i ka kërkuar presidentit Vuçiq, që shteti i tij të përshpejtojë procesin e reformave dhe të punojë me vendosmëri më të madhe mbi sundimin e ligjit.

Theksojmë se Komisionerin Evropian për Politikat e Fqinjësisë dhe Negociatat për Zgjerim, Johannes Hahn, po qëndron për një vizitë dyditore në Serbi pas vizitës së tij në Maqedoninë Veriore.

Gjatë ditës së nesërme, Hahn pritet të takohet me kryeministren serbe, Ana Bërnabiq.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat