Kurti: Tahir Sinani përveç trimërisë, refuzonte edhe marrëveshje të dëmshme politike

Lajme

Kurti: Tahir Sinani përveç trimërisë, refuzonte edhe marrëveshje të dëmshme politike

Më: 29 korrik 2019 Në ora: 12:50
Tahir Sinani

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka kujtuar 18-vjetorin e rënies së Tahir Sinanit.

Kurti e ka vlerësuar lartë figurën e Tahir Sinanit, duke thënë se ishte i pathyeshëm në bindje për çlirimin e trojeve shqiptare.

Kurti thotë se Tahir Sinani mbahet mend edhe për refuzimin e marrëveshjeve të dëmshme politike, siç ishte ajo e Konçulit.

Shënimi i Kurtit:

18 vite më parë, më 29 korrik të vitit 2001, në Malësinë e Gostivarit ra heroikisht komandanti nga Tropoja, pjesëmarrës i tri luftërave të çlirimtare, Tahir Sinani. Ai ishte ushtar i UÇK-së në luftën e Kosovës, i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në Maqedoni, dhe i UÇPMB-së në Luginë.

Tahir Sinani ishte brumosur me atdhetarizëm, në familjen e bashkësinë ku jetoi, e më pas edhe gjatë shkollimit ushtarak e gjatë përvojës jetësore në Ushtrinë e Shqipërisë. Gjatë gjithë jetës ai mbajti pranë zemrës synimet e kahmotshme e të drejta për çlirim e bashkim të shqiptarëve.

Para luftës ai ishte i emëruar si instruktor i stërvitjeve në Divizionin Ushtarak të qytetit të Bajram Currit. E në vjeshtë të vitit 1998, kur thirri detyra e shenjtë, së bashku me ushtarakë e qytetarë të tjerë nga Shqipëria ata iu bashkuan fronteve të luftës në Kosovë. Më pas me vendim të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së atij iu dha detyra e instruktorit të Stërvitjeve dhe ajo e komandimit të Njësisë Speciale “Arbëria”.

Tahir Sinani ishte komandant i gjashtë brigadave të Zonës Operative të Pashtrikut dhe e ndihmoi operacionin “Shigjeta”. Po ashtu ai organizoi edhe një mori aksionesh të suksesshme të UÇK-së dhe minoi terrene të shumta duke i shkaktuar dëme të jashtëzakonshme forcave serbe.

Bindja dhe vendosmëria e tij e thellë për çlirimin dhe bashkimin e trojeve shqiptare, po sikur vetë betimi i UÇK-së, bënë që ai menjeherë pas luftë në Kosovë t’i bashkohet edhe luftës në Luginë, më pas dhe në Maqedoni ku ra heroikisht, bashkë me disa ushtarë të tjerë në zonën e Gostivarit.

Tahiri përveç trimërisë dhe guximit të jashtëzakonshëm mbahet mend edhe për mospranimin e shumë marrëveshjeve politike, ndër to edhe asaj të Konçulit. Ai ishte i pathyeshëm në bindje dhe i pakthyeshëm në veprim. Ai është pikëprerja e saktë mes betimit dhe luftimit.

Luftëtarë si Tahir Sinani jo vetëm që janë spektri i frymëzimit për angazhimin e shumëkujt, por janë edhe indikatorë që shpalos para nesh errësirën e shumë marrëveshjeve të dëmshme politike, që janë e kundërta e vullnetit të popullit të Kosovës dhe luftës çlirimtare të tij. Si do të mund t’i imagjinonim nga perspektiva e Tahir Sinanit krijimin e Gjykatës Speciale që gjykon UÇK-në, marrëveshjen për “Zajednicën” që bosnjëzon vendin, "Demarkacionin" që i fali territor Malit të Zi apo inciativën për ndarje të Kosovës përmes shkëmbimit të territoreve?

Kjo sigurisht se nuk ishte lufta dhe përpjekja e Tahir Sinanit dhe e asnjë ushtari e dëshmori.

Lavdi veprës dhe luftës së dëshmorit të kombit,

Tahir Sinanit!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat