Vulin: Serbia po armatoset "për hir të paqes"

Lajme

Vulin: Serbia po armatoset "për hir të paqes"

Më: 30 korrik 2019 Në ora: 10:36
Ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin.

Ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin, tha se armatosja e Serbisë bëhet "vetëm për hir të paqes". "Sa më të fuqishëm që jemi, lufta do të jetë më larg nesh", tha Vulin.

Ai i bëri komentet për Radio Televizionin e Serbisë, një ditë pasi shteti serb pranoi disa automjete të blinduara, që iu dhuruan nga Rusia.

"Serbia është një shtet serioz, i vlerësuar, që ka të drejtë të armatoset. Një Serbi e fortë është garanci e stabilitetit dhe paqes në Ballkan", tha Vulin.

Ai po ashtu njoftoi se deri në fund të këtij viti ose në fillim të vitit të ardhshëm, në Serbi do të arrijnë edhe disa helikopterë rusë Mi-35 dhe Mi-17.

E pyetur nga Radio Evropa e Lirë rreth furnizimeve ushtarake ruse për Serbinë, NATO-ja tha se "e respekton plotësisht të drejtën sovrane të të gjitha shteteve, përfshirë Serbinë, për të zgjedhur marrëveshjet e tyre politike dhe të sigurisë".

Më 26 korrik, agjencia e lajmeve AP raportoi se Rumania e ka bllokuar dërgesën e tankeve luftarake ruse dhe të automjeteve të blinduara në Serbi, për shkak të sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër Rusisë.

Dërgesa, megjithatë, ka arritur të hënën në një bazë ushtarake në Nish, por presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, nuk tregoi rrugën nga ka ardhur, duke thënë vetëm se gjithçka është bërë "në përputhje me ligjin dhe kontratën e lidhur me Rusinë".

Ministria e Mbrojtjes e Serbisë njoftoi më 27 korrik se marrëveshja ushtarake-teknike me Rusinë "po zbatohet në afatet e dakorduara"./ReL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat