Stefanoviq: Maqedonia e Veriut duhet ta ekstradojë Tomor Morinën

Lajme

Stefanoviq: Maqedonia e Veriut duhet ta ekstradojë Tomor Morinën

Më: 2 gusht 2019 Në ora: 14:18
Nebojsha Stefanoviq

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Nebojsa Stefanoviq, tha se nuk mund të besojë se Maqedonia e Veriut nuk do ta ekstradojë Tomor Morinën, sepse kjo do të ishte mosrespekt i ligjit ndërkombëtar.

"Të gjitha vendet që janë pjesë e Interpolit duhet të respektojnë rregullat ndërkombëtare. Maqedonia e Veriut, duhet që në bazë të urdhrit dhe dokumenteve të ofruara nga Serbia, ta ekstradojë Morinën", tha Stefanoviq.

Më 24 korrik, policia maqedonase e arrestoi ish-pjesëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Tomor Morina, në bazë të një fletarresti të lëshuar nga INTERPOL-i me kërkesë të Serbisë.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ka thënë se në këtë rast do të respektohet ligji.

Për ministrin e brendshëm serb, kjo deklaratë do të thotë se Morina do të ekstradohet.

"Kryeministri i Maqedonisë Veriore Zoran Zaev ka thënë se ata do të respektojnë ligjin ndërkombëtar, dhe kjo do të thotë ekstradim te autoritetet serbe. Nëse kjo nuk ndodh, ne do të shohim se çfarë do të bëjmë më tej, unë nuk dua të paragjykoj", tha Stefanoviq.

Autoritetet e Kosovës kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të tij nga ana e autoriteteve të Maqedonisë së Veriut.

Avokati i Morinës, Naser Raufi për Radion Evropa e Lirë, ka shprehur besimin për një epilog pozitiv në procedimin e mëtejmë lidhur me këtë rast.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat