Oda e Infermierëve jep edhe një afat për ri-licencim

Lajme

Oda e Infermierëve jep edhe një afat për ri-licencim

Më: 3 gusht 2019 Në ora: 20:09
Foto ilustrim

Infermierët të cilët nuk do të arrijnë të ri-licencohen deri në fund të këtij viti, do të obligohen që të vijojnë modulin shtesë të praktikës (6) gjashtë mujore, që të kenë mundësi t’i nënshtrohen provimit të licencimit.

Atyre iu është dhënë edhe një mundësi që të paraqesin provimin e ri-licencimit, deri më 15 gusht të këtij viti Prishtinë.

Data 15 gusht është afati i fundit kur infermierët mund të paraqesin provimin për t’iu nënshtruar procesit të ri-licencimit.

Kjo pas shtyerjes së fundit të afatit për vazhdimin e procedurave të ri-licencimit me vendim të Këshillit Drejtues të OIK-ut.

Oda e Infermierëve të Kosovës u ka dhënë edhe një mundësi gjithë infermierëve që nuk kanë kaluar procesin e ri-licencimit përmes provimit, që këtë ta bëjnë përmes provimit.

Në vendimin e nxjerrë nga Kryetari i Odës së Infermierëve të Kosovës, Naser Rrustemaj, për vazhdimin e procedurave dhe afatit të ri-licencimit, të gjithë anëtarët e OIK-ut, të cilëve iu ka skaduar validiteti i licencës deri me 31.12.2018 e që nuk kanë arritur pikët e mjaftueshme për ri-licencim përmes procesit të valorizimit obligohen që t’i nënshtrohen provimit profesional të licencës sipas moduleve të përcaktuara me vendimin e datës 24 korrik 2019.

“Afati i parë i paraqitjes së provimit ka filluar nga data 26 korrik dhe përfundon më datë 15 gusht 2019”, ka thënë Naser Rrustemaj, kryetar i OIK-ut.

Për çdo afat, sipas tij, vijuesit duhet të paraqesin provimin deri më datën 15 ndërsa provimi duhet të mbahet pas datës 25 deri në fund të muajit. Sipas Rrustemajt, taksa për kandidatët që paraqesin provimin sipas afatit është në lartësinë prej 100 Euro.

“Ndërsa nga data 01.10.2019 lartësia e taksës do të jetë 150 Euro”, ka thënë ai. Sipas kryetarit Rrustemaj, kandidatët të cilët dështojnë të ri-licencohen deri në fund të këtij viti, atëherë do të obligohen që të vijojnë modulin shtesë të praktikës (6) gjashtë mujore, që të kenë mundësi t’i nënshtrohen provimit të licencimit .

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat