Historiani kroat zbulon detaje rreth marrëveshjes Kosovë-Serbi

Lajme

Historiani kroat zbulon detaje rreth marrëveshjes Kosovë-Serbi

Më: 11 gusht 2019 Në ora: 16:00
Ivo Banac

Historiani, shkrimtari dhe profesori kroat në universitetin prestigjioz në Amerikë, Yale, Ivo Banac, ka thënë se nuk pret që presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, të nënshkruajë marrëveshjen ligjërisht obliguese me Kosovën.

Në një intervistë për të përditshmen malazeze “Pobjeda”, Banac thotë se arsyeja e dyshimit të tij në këtë aspekt ndërlidhet me interesat e Rusisë në Ballkan dhe shton se BE-ja s’ka çfarë t’i ofrojë Serbisë.

“Sepse kjo do të nënkuptonte një ndarje me të gjithë politikën e tij dhe një prishje të prioriteteve ruse në Ballkan. Nuk shoh se çfarë mund t’i ofrojë Perëndimi në këmbim, përveç përshpejtimit të anëtarësimit në BE, e cila sërish nuk mund të jetë e detyrueshme për të gjitha shtetet anëtare”, ka thënë Banac.

“Mbi të gjitha, Vuçiqi nuk u ngut të dematojë mendimin e Nenad Popoviqit, njeriut të Putinit në qeverinë e Vuçiqit, i cili me qetësi deklaroi se Marrëveshja e Brukselit ishte e vdekur dhe se Serbia kishte përfunduar integrimin evropian. Ky ishte një mesazh rus”.

“Moska është kundër marrëveshjes, sepse zgjidhja e përplasjeve mes Serbisë dhe Kosovës nënkupton disfatë të politikës dhe ndikimit rus në Ballkan. Por, kurrë mos thoni ‘kurrë’”, është shprehur ai.

Duke folur për vizitën e presidenti francez në Beograd, Emmanuel Macron, historiani kroat tha se presidenti francez do të dëshironte të zgjidhte shumë çështje të komplikuara, por shton se ai s’ka durim të merret me detajet e rasteve të caktuara.

“Në Paris dhe në Yerevan, ai i pëshpëriti Thaçit për nevojën e një ‘korrigjimi të kufijve’ midis Kosovës dhe Serbisë, dhe në Berlin ai i bërtiti Haradinajt se nuk ishte në gjendje të kërkonte asgjë.Mund të konkludohet se nuk do të ketë një monument të ri mirënjohjeje për Francën në Kalemegdan (Beograd), ndër të tjera, sepse do të dëshmojë se votuesit francezë janë pengesa e tij më e madhe”, u shpreh Banac.

Banac tha se nuk dëshiron të hyjë në interpretimet e ndryshme të dorëheqjes së kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, pot thotë se “është e qartë se ndaj tij u bë presion për ta detyruar të hiqte dorë nga negociatat me Serbinë dhe çështjen e kufijve”.

“Pra, duket krejt normale që Serbia t’i bëjë presion çdo vendi të vogël në Amerikën Qendrore ose në Oqeani që të heqë dorë nga njohja e Kosovës, por nuk është normale kur Kosova të mbrohet nga kjo politikë e bojkotit dhe e denigrimit, transmeton koha.net. Dhe kështu as për Haradinajn nuk vlen parimi juridik ‘non bis in idem’. Sido që të jetë, negociatat midis Serbisë dhe Kosovës nuk do të vazhdojnë derisa të krijohet një Komision i ri”, theksoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat