Rrëfimi i nënës së 35-vjeçarit që theu këmbët duke ikur nga Policia: Djali ma drejtoi thikën, merr drogë

Lajme

Rrëfimi i nënës së 35-vjeçarit që theu këmbët duke ikur nga Policia: Djali ma drejtoi thikën, merr drogë

Më: 28 gusht 2019 Në ora: 18:16
Ilustrim

Tentimi për t’i ikur policisë, 35-vjeçarit nga Prishtina, i kushtoi me thyerjen e të dy këmbëve. Ai kishte provuar që të arratisej nga Stacioni i Policisë përmes dritares në momentin që e kishte kuptuar se do të dërgohej në mbajtje. Ai po intervistohej nga zyrtarët policorë me dyshimin se e kishte sulmuar nënën e tij me thikë. Media sjell rrëfimin e nënës së 35-vjeçarit lidhur me atë se si kishte ndodhur i gjithë rasti

Një person ka kërcyer dje nga kati i parë nga stacioni qendra në Prishtinë, derisa ishte duke u intervistuar me dyshimin se e kishte sulmuar nënën e tij. Bëhet fjalë për 35-vjeçarin N.S, nga Prishtina, i cili, sipas familjarëve, është përdorues i narkotikëve për më shumë se pesë vite.

Ai ka tentuar të arratiset përmes një dritareje në dhomën e intervistimit në momentin që e kishte kuptuar se do të dërgohej në mbajtje për 48 orë.

Por, plani për arratisje i dështoi ende pa nisur mirë. Me të rënë në tokë, ai pësoi frakturë në të dy këmbët. Aktualisht, N.S është duke u trajtuar në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës, nën kujdesin e policëve.

Familjarët e tij janë deklaruar se si ka ndodhur i gjithë rasti, derisa lëshojnë akuza në drejtim të Policisë së Kosovës.

Nëna e 35-vjeçarit, Nazmie Berisha tregon se djali i saj është përdorues i narkotikëve, derisa thotë se disa herë kishte kërkuar ndihmë nga Policia që ta dërgonte për shërim në ndonjë klinikë.

Por, kjo kërkesë e saj po del të ketë ka hasur në vesh të shurdhër. Dje, ai ka tentuar që ta sulmojë me thikë, meqenëse nuk i kishte dhënë para për të blerë narkotikë.

 “Dje, djali ka dalë prej shpisë edhe nuk ka vanu shumë e u kthy nervoz edhe lypke pare. Në atë moment e mori një shishe me ujë 2 litra edhe tentoi më më ra edhe e la. Nuk e di qysh i ka ardhë ai moment edhe e ka kapë thikën. Më është afru tri herë me thikë edhe i kom thanë qysh nanën tande po don me therr edhe e ka lëshu thikën në vend. E kom lanë e jam dal jashtë se jam tut edhe thash deri t’i kalon”, tregon Nazmija.

Menjëherë pas kësaj ngjarje, nëna e 35-vjeçarit tregon se kishte shkuar në polici që t’iu kërkonte ndihmë sërish.

Por, pak minuta pasi që policët e kishin marrë djalin, ata e kishin njoftuar se djali i saj gjendet në spital, meqenëse i kishte thyer të dy këmbët derisa kishte tentuar që të arratiset nga Stacioni i Policisë.

Ajo ka ankesa edhe për sjelljen e zyrtarëve policor që po e ruanin djalin e saj. Thotë se e kishte kërkuar ndihmën e tyre për ta shëruar djalin, e jo për t’ia mbytur.

Duke iu dridhur zëri thotë se më mirë do të kishte qenë të kishte vdekur, sesa ta shihte në këtë gjendje.

“Nuk po e kuptoj qysh mundet me ndodh një gjë e tillë në stacion të Policisë. Një polic aq u sjell arrogant e keq me mu. Nuk më lejke as me ndejt me ta. Unë hala nuk kam zatet njeri ma të poshtër. Edhe shka me pas qenë më kish lanë me ndejt me djal temin. Unë nuk e kam qu me mbyt po me shëru. E jo me lanë djalin me kcy e me mbyt. Ma mirë të kish vdekë se sa qysh i ka thy te dy kamtë që a çohet a s’çohet ma”, tregon ajo për Express.

Për këtë rast ka njoftuar mbrëmë edhe Policia e Kosovës përmes një komunikate drejtuar mediave.

Sipas Policisë, ai kishte tentuar që të arratisej sapo e kishte kuptuar se do të dërgohej në qendrën e mbajtjes.

 “Rreth orës 19:00 një person i dyshuar ka kërcyer nga kati i parë saktësisht nga zyra e intervistimeve të stacionit qendra në Prishtinë. I njëjti pas intervistimit më të kuptuar se do të dërgohet në qendrën e mbajtjes, ka arritur që të kërcej nga dritarja me qëllim arratisje nga organet e rendit. Personi ka pësuar lëndime trupore, dhe pas ofrimit të ndihmës së parë, i njëjti është dërguar për tretman mjekësor”, kanë deklaruar nga policia e Kosovës.

Më tej policia ka bërë të ditur se personi i dyshuar është arrestuar dhe intervistuar për një rast të dhunës në familje pasi që kishte sulmuar nënën e tij, përderisa pavarësisht përpjekjeve të befasishme për t’u arratisur ai tani më është nën kontrollin e policisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat