Kurti: Në shkollë fëmiu takon shtetin, mësuesit dhe shokët bëhen pjesë e jetës

Lajme

Kurti: Në shkollë fëmiu takon shtetin, mësuesit dhe shokët bëhen pjesë e jetës

Më: 2 shtator 2019 Në ora: 09:32
Albin Kurti

Kryetari  i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, përmes një shkrimi të publikuar në faqen e tij zyrtare Facebook ka uruar nxënësit me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor.

Kurti ka shkruar ndër të tjera se orët e kaluara në shkollë, bëhen pjesë e jetës, derisa fëmiu në shkollë takon shtetin, e rritja e  cilësisë në arsim duhet të jetë e drejtë themeltare dhe objektiv i qeverisë së ardhshme.

Ky është postimi i tij i plotë:

Për nxënësit dita e parë e shkollës qëndron mbi ndërrimin e stinëve, mbi ndërrimin e motmoteve. Ajo e nis organizimin kryesor të përditshmërisë së tyre. Orët e kaluara në shkollë bëhen pjesë e ndërtimit të karakterit. Të gjithësecilit. Mësueset e arsimtaret, shoqet e shokët të klasës, bëhen pjesë e jetës. Andaj nuk është veç dija shkencore që shkolla shtron në sofrën tonë të mendjes, por janë edhe përvojat shoqërore dhe edukimi vleror që bëhen pjesë formuese shpirtërore e jona. Ngadalë kuptojmë se mësimi nuk është veç për të mirën personale të nxënësit a nxënëses, por për të mirën e shoqërisë në përgjithësi. Se mësimi nuk është vetëm tash dhe këtu, e as vetëm për këtë javë, muaj apo vit, por për tërë jetën tonë. Ky duhet të jetë orientimi e frymëzimi për gjeneratat e sotme.

Duke qenë hallka kryesore e sistemit, e drejta për arsim vjen si buqetë për shumë të drejta të tjera. Paçka se sot nuk është, arsimi duhet të jetë garancia për përcaktimin e jetesës sonë.

Në shkollë fëmiu takon shtetin. Rritja e cilësisë së arsimit është e drejtë themeltare dhe duhet të jetë objektiv social i qeverisë së ardhshme. Prandaj gëzuar vajzave e djemve fillimin e vitit shkollor!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat