Mathew Palmer në Podgoricë - Bota Sot
Mathew Palmer në Podgoricë

Lajme

Mathew Palmer në Podgoricë

Më: 9 shtator 2019 Në ora: 21:13
Milo Gjukanoviç dhe Mathhew Palmer

Përfaqësuesi i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Mathhew Palmer, u ka thënë të hënën zyrtarëve të Malit të Zi se me emërimin e tij në këtë post, Shtetet e Bashkuara dëshmojnë se janë sërish më të përfshira në rajon.

Zoti Palmer, qëndroi të hënën në Podgoricë, ku u takua me presidentin Milo Gjukanoviç, kryeministrin Dushko Markoviç si dhe zyrtarë të tjerë të Malit të Zi.

Sipas një njoftimi nga zyra e presidentit malazez, zoti Palmer ka theksuar se “përparësi e tij janë hapja e bisedimeve për anëtarësim të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, rihapja e bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit si dhe gjetja e një zgjidhjeje për funksionalizimin e Bosnjës dhe Hercegovinës”.

Në një komunikatë të zyrës së kryeministrit Markoviç, zoti Palmer citohet të ketë thënë se Mali i Zi është shteti më i suksesshëm shumetnik në rajon dhe se "nuk është rastësi” që Mali i Zi është shteti i parë që ai viziton pas emërimit.

Mali i Zi është një gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimorë që synojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian, ndërsa është vendi i 29-të i NATO-s pjesë e se cilës u bë dy vjet më parë.

Anëtarësimi zemëroi Rusinë e cila e sheh Malin e Zi si një një zonë që tradicionalisht ka qenë në sferën ruse të interesit. Mali i Zi ka akuzuar Rusinë për mbështetjen e një përpjekjeje për grusht shteti pas zgjedhjeve të tetorit të vitit 2016, që thuhet se kishte për synim të ndalte rrugën e vendit drejt anëtarësimit në NATO. Rusia i ka mohuar akuzat.

Vendi me rreth 600 mijë banorë historikisht ka qenë i ndarë mes forcave politike pro-perëndimore dhe aleancës me aleatët ortodoksë, Serbinë dhe Rusinë. Mali i Zi e fitoi pavarësinë nga Serbia në vitin 2006.

Zoti Palmer i cili u emërua përfaqësues i posaçëm për Ballkanin Perëndimor nga sekretari amerikan i shtetit Mike Pompeo më 30 gusht, pak pas marrjes së detyrës tha se qëllimi i tij është t'i kthejë Kosovën dhe Serbinë “në tryezën e bisedimeve sa më shpejt që të jetë e mundur dhe të sigurojë një marrëveshje” normalizimi ndërmjet tyre.

Ai tha në fillim të këtij muaji se Shtetet e Bashkuara do të donin të shihnin “njohjen e ndërsjellë si pikën qendrore të marrëveshjes”, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Bisedimet janë pezulluar që nga nëntori i vitit të kaluar kur Prishtina u vuri tarifa prej 100 për qind mallrave serbe në shenjë kundërshtimi ndaj fushatës së Beogradit kundër shtetësisë së Kosovës.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...