Liderët e BE-së: Të miratohet hapja e negociatave me Shkupin dhe Tiranën

Lajme

Liderët e BE-së: Të miratohet hapja e negociatave me Shkupin dhe Tiranën

Më: 3 tetor 2019 Në ora: 20:15
Foto ilustrim

Drejtuesit e institucioneve kryesore evropiane, u kanë bërë thirrje vendeve anëtare të BE-së që të miratojnë hapjen e negociatave të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, pasi besojnë se të dyja vendet kanë përmbushur të gjitha kushtet e nevojshme për të filluar këtë proces.

Letra e përbashkët u nënshkrua nga presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, presidenti i Parlamentit Evropian, David Sassoli, presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker dhe presidentja e ardhshme e këtij institucionit, Ursula von der Leyen.

“Bota jonë po pëson ndryshime të shpejta. Nëse BE-ja do të ruajë rolin e saj ndërkombëtar dhe të mbrojë interesat e saja, ndërmarrja e një hapi drejt integrimit të këtyre vendeve evropiane që kanë shprehur interes, dhe kanë përmbushur kërkesat për fillimin e procesit të pranimit, do të ndihmojë në arritjen e këtij qëllimi”, thuhet në letër.

“Nuk ka garanci për sukses. Do të ketë shumë punë të vështirë e reformave gjatë rrugës. Anëtarësimi nuk do të ndodhë brenda natës, dhe të dyja vendet janë të vetëdijshëm për këtë”, thuhet në letrën e nënshkruar nga Tusk, Sassoli, Juncker dhe Von der Leyen.

Në një takim ministrorë që do të mbahet në Luksemburg më 15 tetor, ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të BE-së duhet të vendosin për hapjen ose jo të negociatave të pranimit për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Ky vendim duhet të konfirmohet më pas në një samit , i cili do të zhvillohet në 17-18 tetor në Bruksel.

Në mbledhjen e tyre në qershor, ministrat miratuan konkluzionet për vendet e Ballkanit Perëndimor, duke premtuar se do të marrin një vendim “jo më vonë se tetori i vitit 2019.

Franca dhe Hollanda janë ndër kundërshtarët kryesorë të hapjes së negociatave të pranimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat