Eksperti i Ballkanit: Emisari i Trump-it s’flet për kufijtë, takimet nisin në nëntor

Lajme

Eksperti i Ballkanit: Emisari i Trump-it s’flet për kufijtë, takimet nisin në nëntor

Më: 5 tetor 2019 Në ora: 17:12
Dushan Janjiq

Eksperti dhe njohësi i çështjeve që kanë të bëjnë me Ballkanin Perëndimor, Dushan Janjiq, thotë se vendimi i Donald Trump për emërimin e Richard Grenell në pozitën e Përfaqësuesit Special për dialogunKosovë-Serbi është bërë në koordinim me Sekretarin e Shtetit, Mike Pompeo.

Janjiq në një intervistë për Express thotë se Matthew Palmer do të merret në përgjithësi me rajonin e Ballkanit Perëndimor ndërsa Grenell në mënyrë specifike me problemin ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

“Unë mendoj se vendimi ishte i koordinuar me Sekretarin e Shtetit. Matthew Palmer do të merret në përgjithësi me Ballkanin Perëndimor, me të gjitha vendet dhe bashkëpunimin rajonal. Ndërkohë Richard Grenell do të merret vetëm në njërën prej çështjeve (Kosovën)”, ka thënë Janjiq 

Ai thotë se vendimi për emërimin e Grenell, si veprim, është i njëjtë me letrat e dërguara më parë për Hashim Thaçin dhe Aleksander Vuçiqin, gjë që sipas tij dëshmon interesin dhe përkushtimin e Donald Trump për dialogun më mes të Kosovës dhe Serbisë.

Sipas ekspertit të Ballkanit Perëndimor, zgjidhja e problemit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është një provim për administratën e presidentit Donald Trump.

Janjiq thotë se nëse e kalon me sukses atëherë një gjë të tillë do ta shfrytëzojë përpara demokratëve për t’iu thënë se kishin dështuar për vite me radhë sa i përket problemit në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Një prej arsyeve të nominimit të një politikani të afërt, sepse ai (Trump) dëshiron që të arrijë diçka përpara marsit, sepse Kosova dhe Ballkani janë një çështje shumë e rëndësishme që mund të shfrytëzohet në fushatën paraelektorale”, ka thënë Janjiq.

Analisti serb thotë se emërimi i Richard Grenell është i rëndësishëm edhe për faktin se SHBA’ja njëjtë sikurse në vitet e 90’ta është kyçur me vonesë në negociata, dhe tani e njejta gjë i ka ndodhur me dialogun e Kosovë-Serbi.

“Amerika në dialogun e Kosovës erdhi vonë. Dy vjetë vonesë janë një minus shumë i madh, për një shtet që pretendon që të jetë lider në botë”, potencon analisti serb.

Sipas tij nuk ka ndonjë shpërputhje në mes të misionit të Palmer dhe Grenell.

“Unë mendoj që Palmer dhe misioni i Richard nuk janë në kontradiktë. Kjo është më shumë një shenjë e fokusimit”, shton Janjiq.

Megjithatë Janjiq thotë se nuk pajtohet me qëndrimin e Daniel Serwer se Grenell do të kthejë në tavolinë idenë e korrigjimit të kufijve, pasi siç thotë ai, Trump nuk do të lejojë diçka të tillë meqë do të krijojë precedent të cilin do të mund ta shfrytëzojë pastaj Rusia në Gjerogji dhe Krime.

“Në një këndvështrim më të gjerë nuk pajtohem me opinionin e Serëer, por megjithatë Serwer ka njohuri personale. Por megjithatë për mua është një shenjë e mirë”, ka thënë Janjiq.

Njohësi i çështjeve që kanë të bëjnë më Ballkanin, Dushan Janjiq, gjithashtu thotë se tashmë edhe formati i bisedimeve do të ndryshojë.

“Formati i ri do të jetë më efektiv. Nuk do të jetë për çështje teknike. Do të jetë vetëm dialog politik dhe për çështje politike. Përfaqësuesi Special do të jetë brenda dialogut, një prej shteteve dhe një prej BE-së. Por BE-ja do të jetë ndërmjetësuesi kryesor, që do të organizojë procesin dhe që qëndrojnë në kontakt me negociatorët, s’ka lidhje nëse do të jenë Thaçi apo Vuçiq. Por Përfaqësuesit Special do të jetën të kyçur në bisedim në të gjithë procesin dhe nuk do të qëndrojnë vetëm ulur në sallat e takimeve”, potencon Janjiq.

Sa i përket rolit të Gjermanisë dhe Francës pas këtyre zhvillimeve, Janjiq thotë se këto dy shtete do të presin që të kompletohet Komisioni Evropian, dhe më pas do ta caktojnë edhe Përfaqësuesin e tyre Special për dialogun, që sipas tij do të jetë ndryshe nga Federica Mogherini dhe Catherine Ashton.

Janjiq thotë se në lojën e caktimit të një Përfaqësuesi Special është edhe Komisioneri i BE-së për Zgjerim.

Në fund Janjiq pret që të ketë një suspendim të përkohshme të taksës nga qeveria e re në Kosovë, dhe paralajmëron se do të ketë një takim në Paris në fillim të muajit nëntor.

“Taksa do të suspendohet për një kohë. Nuk pres heqje, por suspendim të përkohshëm po, para se të fillojnë negociatat. Gjë që pritet të ndodh menjëherë në fillim të nëntorit në Paris”, ka thënë Janjiq.

Ndërkohë ai thotë se mbetet të shihet se si do të veprojë Serbia me fushatën kundër pavarësisë së Republikës së Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat