Nxënësit nga Prizreni u fotografuan me flamurin turk, reagon MASHT

Lajme

Nxënësit nga Prizreni u fotografuan me flamurin turk, reagon MASHT

Më: 21 tetor 2019 Në ora: 11:37
Nxënësit nga Prizreni

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, ka reaguar ashpër ndaj rastit në Prizren të paraqitur në media, ku shihet një person i rritur dhe disa fëmijë në shkollën fillore “Motrat Qiriazi” të kësaj komune, me flamurin turk dhe duke bërë përshëndetje ushtarake.

Në reagimin e tij MASHT thotë se shkollat nuk janë hapësira për aplikimin e asnjë lloj ideologjie dhe abuzimi në këtë formë me fëmijët, kjo është në kundërshtim me konventat ndërkombëtare dhe me ligjet e aplikueshme në Kosovë.

“Prandaj, MAShT gjatë ditës së sotme do të dërgojë inspektorët e arsimit në shkollën në fjalë për të marrë informacione zyrtare rreth këtij rasti, në mënyrë që të kenë informata të sakta për ta adresuar këtë rast dhe për të marrë masa ndaj përgjegjësve”, thuhet mes tjerash në reagimin e tyre.

Gjithashtu, MASHT apelon që të gjithë mësimdhënësit, nxënësit e prindërit të paraqesin rastet e abuzimit me fëmijët, sepse sipas tyre, kjo është e vetmja mënyrë që fëmijët të mbrohen nga rreziku që iu kanoset.

“MAShT fton mësimdhënësit, nxënësit, prindërit dhe gjithë komunitetin, që të reagojnë dhe ta paraqesin çdo rast të abuzimit me fëmijët, sepse vetëm në këtë mënyrë do të mund të mbrojmë fëmijët tanë nga çdo lloj rreziku që iu kanoset”, ka përfunduar MASHT.

Kujtojmë se për fotografinë në fjalë ka reaguar edhe KMDLNJ, e cila thotë se ky gjest përveç se është keqpërdorim I fëmijëve dhe rreshtim I padrejtë ndaj një partie politike në një vend jashtë Kosovës, është edhe I dënueshëm.

“KMDLNJ, konsideron se ky gjest jo vetëm që është keqpërdorim i fëmijëve, dhe rreshtim i pa drejtë ndaj një partie politike në një vend jashtë Kosovës, por patjetër që është edhe i dënueshëm. Me këtë rast i bëjmë thirrje organeve të shtetit të zbardhin këtë rast dhe të përfshirët në këtë incident të rëndë të ndëshkohen konform ligjeve të Kosovës”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat