Vuçiq në telefon me Ramën dhe Zaevin, thotë se pati biseda të shkëlqyera rreth takimit në Ohër

Lajme

Vuçiq në telefon me Ramën dhe Zaevin, thotë se pati biseda të shkëlqyera rreth takimit në Ohër

Më: 4 nëntor 2019 Në ora: 16:10
Edi Rama, Aleksandar Vuçiq dhe Zoran Zaev

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq bisedoi përmes telefonit me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama dhe atë të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, lidhur me përgatitjet për takimin e dytë trepalësh në Ohër, në të cilin ata duhet të vazhdojnë bisedimet për krijimin e një “mini Shengeni” midis tre vendeve.

“Një bisedë e shkëlqyer me Edi Ramën dhe Zoran Zaevin përpara samitit të rëndësishëm në Ohër më 9 nëntor”, shkroi Vuçiq në profilin e tij në rrjetin social Instagram.

Vuçiq, më parë, tha në një konferencë për media, se bisedimet me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë do të vazhdojnë, dhe më pas edhe me vendet e tjera, për heqjen e pengesave të lëvizjes së lirë të mallrave, shërbimeve, njerëzve dhe kapitalit.

Samiti i parë midis tre liderëve u mbajt në Novi Sad të Serbisë, më 10 tetor, me ç’rast ata nënshkruan një deklaratë e cila bazohet në zbatimin e lëvizjes së lirë të mallrave, kapitalit, njerëzve dhe shërbimeve.

Në konferencën e përbashkët për media, Vuçiq pati thënë se synim i kësaj nisme është që deri në fund të vitit 2021 të krijohen kushtet që qytetarët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë të kalojnë kufijtë e tri vendeve me letër-njoftime.

Ai ka thënë se me masa “më konkrete” të zbatimit të kësaj nisme, përfaqësuesit e tri vendeve, do të dalin në takimin e ardhshëm, që do të mbahet në Ohër, më 10 nëntor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat