Njerëzimin e presin vuajtje të papara, nëse nuk luftohen ndryshimet klimatike - Bota Sot
Njerëzimin e presin vuajtje të papara, nëse nuk luftohen ndryshimet klimatike

Lajme

Njerëzimin e presin vuajtje të papara, nëse nuk luftohen ndryshimet klimatike

Më: 6 nëntor 2019 Në ora: 08:19
Foto ilustrim

Sipas një paralajmërimi të më shumë se 11 mijë shkencëtarëve, popullsia botërore do të përballet me vuajtje që nuk janë përjetuar më parë për shkak të krizës klimatike, nëse nuk bëhen transformime të mëdha në shoqërinë globale.

“Ne deklarojmë në mënyrë të qartë dhe të plotë se planeti Tokë është duke u përballur me një emergjencë klimatike”, thuhet në deklaratën e shkencëtarëve. “Për të siguruar një të ardhme të qëndrueshme, ne duhet ta ndryshojmë mënyrën e të jetuarit. Këtu përfshihen transformime të mëdha në mënyrën se si funksionon shoqëria jonë globale dhe si ajo ndërvepron me ekosistemet natyrale”, thuhet më tej.

Sipas tyre, bota nuk ka kohë për të humbur. “Kriza klimatike ka arritur dhe është duke u përshpejtuar më shpejt sesa kanë pritur shumica e shkencëtarëve. Është më e ashpër sesa është vlerësuar më parë dhe po i vë në rrezik ekosistemet natyrore dhe fatin e njerëzimit”, thonë shkencëtarët.

Kjo deklaratë e grupit të madh të shkencëtarëve u publikua në revistën “BioScience” në 40-vjetorin e konferencës së parë botërore për klimën, e cila ishte mbajtur në Gjenevë të Zvicrës në vitin 1979. Deklarata u hartua nga dhjetëra shkencëtarë dhe u miratua nga 11 mijë të tjerë nga 153 shtete të ndryshme.

Shkencëtarët këshillojnë që në mesin e ndryshimeve urgjente të përfshihen zvogëlimi i shtimit natyror të popullsisë, braktisja e karburanteve, ndërprerja e shkatërrimit të pyjeve dhe zvogëlimi i konsumimit të mishit, shkruan “The Guardian”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat