Pas numërimit të votave, këto janë procedurat tjera deri tek konstituimi i Kuvendit

Lajme

Pas numërimit të votave, këto janë procedurat tjera deri tek konstituimi i Kuvendit

Më: 7 nëntor 2019 Në ora: 10:27
Foto ilustrim

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) sot shpallë rezultatet finale të zgjedhjeve të 6 tetorit, duke i hapur rrugë konstituimit e përbërjes së re të Kuvendit të Kosovës.

Kuvendi i Kosovës ka 120 ulëse, prej tyre 20 ulëse janë të garantuara për komunitetet joshumicë, përkatësisht 10 për komunitetin serb dhe po aq për komunitet tjera joshumicë.

Neni 66 i Kushtetutës së Kosovës e parasheh mënyrën e konstituimit të Kuvendit. Aty përcaktohet se Kuvendi zgjidhet me mandat katërvjeçar, duke filluar nga dita e seancës konstituive, që mbahet brenda tridhjetë ditëve nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve.

Pasi që KQZ të shpallë zgjedhjet, subjektet politike dhe kandidatët për deputetë kanë mundësinë që të ankohen në PZAP, në afatin prej 24 orë. Në rast se ky institucion nuk gjen shkelje, atëherë subjektet politike dhe kandidatët kanë mundësi që ankesat t’i bëjnë edhe në Gjykatën Supreme.

Pasi të vërtetohet nga PZAP dhe Gjykata Supreme që nuk ka ndonjë ankesë, KQZ zyrtarisht certifikon zgjedhjet, duke i lënë rrugën hapur presidentit që të thërrasë seancën për konsitutimin e Kuvendit.

Presidenti i Republikës së Kosovës e thërret seancën e parë të Kuvendit. E në rast se ai nuk është në gjendje të thërrasë seancën e parë brenda afatit 30 ditë, Kuvendi mblidhet pa pjesëmarrjen e presidentit. Seanca e parë konstituive udhëhiqet nga dy deputetë, përkatësisht nga deputeti më i vjetër dhe më i riu në sallë.

Kuvendi i Kosovës nga radhët e veta zgjedh kryetarin dhe pesë nënkryetarët (Kryesinë e Kuvendit). Kryetari i Kuvendit propozohet nga grupi më i madh parlamentar dhe zgjidhet me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit. Kurse tre nënkryetarët, të propozuar nga tri grupet më të mëdha parlamentare, zgjidhen me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit, përderisa dy nënkryetarë përfaqësojnë komunitetet që nuk janë shumicë në Kuvend dhe ata zgjidhen me shumicën e votave të të gjithë deputetëve.

Ndërkaq sot në ora 10:30 KQZ bën shpalljen e rezultateve të zgjedhjeve të 6 tetorit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat