Macron po e pret formimin e Qeverisë së Kosovës për t’i ftuar Prishtinën e Beogradin gjatë janarit në Paris - Bota Sot
Macron po e pret formimin e Qeverisë së Kosovës për t’i ftuar Prishtinën e Beogradin gjatë janarit në Paris

Lajme

Macron po e pret formimin e Qeverisë së Kosovës për t’i ftuar Prishtinën e Beogradin gjatë janarit në Paris

Më: 12 nëntor 2019 Në ora: 11:01
Macron e Vucic

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, ka thënë se janë marrë vesh me presidentin e Francës, Emanuel Macron, që të zhvillojnë një bisedë të gjatë telefonike në muajin dhjetor pasi të krijohet qeveria në Kosovë, dhe me shumë gjasë do të caktohet dhe një takim në mes të Prishtinës dhe Beogradit në muajin janar 2020.

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vucic, po qëndron për një vizitë zyrtare në Paris, ku ka takuar kreun e shtetit francez, Emanuel Macron, me të cilin ka biseduar rreth iniciativës së fundit për krijimin e ‘Minishengenit’ Ballkanik.

Përveç tjerash në këtë takim në kryeqytetin francez është diskutuar edhe për mundësinë e rinisjes së dialogut për normalizimi të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Vuçiq siç shkruan RTS, ka thënë se nga Bashkimi Evropian janë duke e pritur krijimin e qeverisë së re në Kosovë për të parë se si do të procedohet tutje më negociatat.

“BE’ja është në pritje të formimit të qeverisë në Prishtinë. Unë nuk jam i sigurt se do të jetë e lehtë të gjendet një kompromis, por Macron nga ajo që kemi folur në Beograd beson se është e mundur për të gjetur një zgjidhje kompromisi”, ka thënë Vuçiq.

Ndërkohë kreu i shtetit serb ka zbuluar edhe një ‘marrëveshje’ që ka arritur me presidentin e Francës për një bisedë telefonike që do të zhvillojnë në muajin dhjetor pas krijimit të qeverisë, për të dëgjuar qëndrimin e Macronit dhe për të planifikuar një takim në muajin janar të 2020-ës.

Ky takim pritet që të jetë një zëvendësim i Samitit të Parisit i cili ishte planifikuar të mbahej më 1 korrik të këtij viti, por që dështoi meqenëse Kosova dhe Serbia kishin mbetur të betonuara në qëndrimet e tyre.

Haradinaj nuk e hiqte taksën , ndërkohë Beogradi zyrtar kushtëzonte kthimin në dialog me heqjen e taksës nga Kosova.

Bisedimet në mes të Prishtinës dhe Beogradit janë bllokuar tash e një vit, ndërkohë pritet krijimi i qeverisë së re të Kosovës për rinisjen e negociatave.

Albin Kurti kryeministër në ardhje ka thënë se do të heq taksën dhe do të zëvëndësojë me reciprocitet të plotë me Serbinë, ndërkohë mbetet të shihet nëse Beogradi do të kthehet në negociata, pasi që janë dhënë sinjale që as masa e reciprocitetit nuk është e pëlqyeshme për Serbinë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat