Arrestohet “juristja” mashtruese, zhvati 50 000 euro pas premtimeve boshe

Lajme

Arrestohet “juristja” mashtruese, zhvati 50 000 euro pas premtimeve boshe

Më: 16 nëntor 2019 Në ora: 13:36
Amarilda Leka

Policia arrestoi një 33-vjeçare e cila akuzohet se mashtroi të afërmit e një të burgosuri për vrasje, se do ta nxirrte atë nga burgu. Amarilda Leka është 33-vjeçarja e cila pretendonte se punonte si juriste pranë Gjykatës së Lartë Tiranë dhe me njohjet që ajo kishte do të ndikonte tek trupa gjykuese për të nxjerrë nga burgu një person. Ky i fundit ishte i arrestuar me 30 vjet heqje lirie, për një vrasje në rrethana rënduese. Sipas informacioneve zyrtare të Policisë, bëhet e ditur se 33-vjeçarja ka mashtruar shtetasin me inicialet B.Z, duke i marrë 50 000 euro. “Bashkëpunimi i ngushtë mes Policisë dhe Prokurorisë çon në pranga një 33-vjeçare për “Mashtrim me pasoja të rënda”. Finalizohet operacioni policor “Bënça”, i ndjekur prej një viti me metoda proaktive. Operacioni nga Drejtoria Hetimore Qendrore në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë  e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë. Drejtoria Hetimore Qendrore në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me DVP Tiranë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Bënça” bëri ekzekutimin e vendimit Nr. 2541, datë  13.11.2019 të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, e cila ka vendosur masën e sigurisë personale “Arrest në burg” për shtetasen, A. L., 33 vjeçe, lindur në Përmet dhe banuese në Tiranë. Në ngarkim të kësaj shtetaseje, Njësia Hetimore Qendrore përcolli në Prokurorinë e Tiranës materiale hetimore dhe Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, në bazë të materialeve të referuara regjistroi procedimin penal, për veprën penale “Mashtrimi me pasoja të renda”. Pas gati një vit hetimesh proaktive u bë i mundur dokumentimi me prova ligjore i veprimtarisë kriminale të ushtruar nga kjo shtetase. Kjo shtetase ka mashtruar shtetasin B. Z., me banim në Tepelenë, duke i marrë 50 000 euro, me pretendimin se ishte juriste pranë Gjykatës së Lartë Tiranë dhe me njohjet që ajo kishte do të ndikonte pranë trupës gjykuese në Gjykatën e Apelit për Krimet e Rënda Tiranë dhe në Gjykatën e Lartë për të nxjerrë nga burgu shtetasin A. M., i dënuar me 30 vjet heqje lirie, për një vrasje në rrethana rënduese që kishte kryer në Memaliaj, në vitin 2015, i cili është duke vuajtur dënimin në IEVP Bënçë, në Tepelenë. Materialet shtesë i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë”, thuhet në njoftimin e policisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat