Aktakuzë ndaj gjashtë personave për vrasjen e Oliver Ivanoviqit

Lajme

Aktakuzë ndaj gjashtë personave për vrasjen e Oliver Ivanoviqit

Më: 3 dhjetor 2019 Në ora: 21:47
Foto ilustrim

Prokuroria Speciale e Kosovës konfirmon se ka ngritur aktakuzë ndaj gjashtë personave në lidhje me vrasjen e politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviç. Ivanoviq u vra para zyrës së partisë së tij "Liria, Demokracia, Drejtësia", në janar të vitit 2018 në veri të qytetit të Mitrovicës e banuar më shumicë serbe. Siç njofton prokuroria speciale, që nuk i zbulon emrat e të akuzuarve por vetëm inicialet, "N.S., M.R., S.A., D.M., Z.J., R.B. akuzohen për veprat penale "pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal të organizuar”, "keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, "ndihmë në kryerjen e veprës penale; Vrasje e rëndë”, "mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve”, "zbulimi i fshehtësisë zyrtare”, "keqpërdorim i detyrës zyrtare në bashkëkryerje” dhe "manipulim me prova, në bashkëkryerje”.

Tre nga gjashtë të akuzuarit, N.S., M.R. dhe R.B., tashmë ndodhen në arrest, ndërsa tre të tjerë janë në arrati, për të cilët tashmë është lëshuarr fletëarrest ndërkombëtar. Në njoftim thuhet se të pandehurit kanë vepruar si "grup kriminal i organizuar me strukturë dhe hierarki në grup, me role të përcaktuara formalisht, i cili grup kriminal nuk është formuar rastësisht, por është duke vepruar që nga viti 2011 e këndej, grup i udhëhequr nga të pandehurit Z.V. dhe M.R, të cilët gjenden në arrati, ku të gjithë këta të pandehur veprojnë në vazhdimësi dhe në bashkëpunim, me dashje dhe dijeni të qëllimit dhe veprimtarisë së përgjithshme të grupit kriminal të organizuar ose qëllimit të grupit për të kryer një apo më shumë vepra penale”.

Të pandehurit thuhet më tej, aktivisht kanë marrë pjesë në veprimtaritë kriminale të grupit duke ditur se pjesëmarrja e tillë do të kontribuojë në realizimin e veprimtarive kriminale të grupit dhe realizimin e përfitimit të drejtpërdrejtë apo të tërthortë të dobisë financiare apo dobisë tjetër pasurore, me qëllim të shtrirjes së kontrollit të bizneseve në territorin dhe kontrollin e politikës në pjesën veriore të Mitrovicës.

"Ky grup kriminal ka kryer veprat penale "Vrasje e rëndë”, " Ndihmë në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë”, "Keqpërdorimi i detyrës zyrtare” dhe "Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm në territorin e Republikës së Kosovës. Po ashtu, secili nga të pandehurit ka kryer veprime inkriminuese-konkrete për grupin në fjalë, veprimtaritë e këtij grupit kriminal të organizuar kanë rezultuar me vrasjen tani të të ndjerit Oliver Ivanoviq, ku paraprakisht nga i njëjti grup është djegur edhe vetura e tij”, thuhet në njoftimin e prokurorisë speciale të Kosovës.

Policia e Kosovës disa herë ka ndërmarr operacione në veri të Kosovës për arrestimin e personave që dyshoheshin të kenë lidhje me vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviq. Në mesin e të arrestuarve kishte edhe një polic serb të Kosovës. Këto operacione shoqëroheshin me tensione në veri të Kosovës, por pa incidente që do ta destabilizonin situatën e sigurisë. / DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat