Zyra e BE-së: Punimet kanë përfunduar, së shpejti hapet pikëkalimi kufitar Kosovë-Maqedoni e Veriut

Lajme

Zyra e BE-së: Punimet kanë përfunduar, së shpejti hapet pikëkalimi kufitar Kosovë-Maqedoni e Veriut

Më: 23 janar 2020 Në ora: 15:13
Foto ilustrim

Pas një viti vonesë, së shpejti pritet të hapet pikëkalimi i ri kufitar Bellanoc-Stançiq që lidhë Kosovën me Maqedoninë e Veriut. Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë i ka thënë Gazetës Express se të gjitha punimet kanë përfunduar dhe në koordinim me autoritetet kosovare dhe maqedonase ky pikëkalim kufitar do të hapet shpejt.

Pikëkalimi kufitar Bellanoc-Stançiq tash e një vit është shtyrë vazhdimisht edhe pse hapjen e tij e kishin paralajmëruar zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme gjatë viti 2019.

Fillimisht ishte paralajmëruar në Janar të vitit 2019, pastaj ishte shtyrë për në gusht të vitit të kaluar gjë që nuk ndodhi.

Nga MPB-ja përsëri ishte përmendur mesi i dhjetorit të 2019-ës për hapjen e pikëkalimit kufitar mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut por që nuk u realizua.

Ndërsa tani MPB dhe Zyra e BE-së i kanë dhënë kohë edhe pak ditë hapjes solemne ku kanë deklaruar se hapja është çështje ditësh.

Nga MPB-ja kanë thënë për Express se hapja e pikëkalimit kufitar është çështje ditësh.

“Nuk mund të jap datë të saktë por besojmë që kjo do të kryhet brenda pak ditësh”, ka thënë Izmi Zeka, zëvendësministër i MPB-së.

Zeka ka thënë se janë duke e pritur Zyrën e BE-së që të bëjnë hapjen solemne.

“Është shtyrë mjaft kjo, jemi duke e pritur Zyren e BE-së, pasi që është projekt i Bashkimit Evropian dhe shpresoj që ky pikëkalim me rëndësi të madhe të hapet këtyre ditëve”, ka thënë Zeka.

Ndërkaq Zyra e BE-së në Prishtinë të pyetur nga Gazeta Express se për çfarë arsye është shtyer tash e një vit hapja e pikëkalimit kufitar Stançiq-Bellanoc, nuk kanë treguar detaje vetëm kanë thënë se hapja do të bëhet së shpejti.

“Hapja zyrtare e pikëkalimit kufitar do të bëhet së shpejti. Punimet janë kryer muajin e kaluar dhe data e përurimit do të vendoset në marrëveshje me të gjitha palët e interesit përfshirë autoritetet e Kosovës dhe të Maqedonisë Veriore”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së BE-së në Prishtinë.

Po ashtu nga Ministria e Punëve të Brendshme kishin deklaruar se në gjashtë muajt e parë do të lejohen për qarkullim vetëm njerëzit dhe veturat.

“Në këtë pikëkalim kufitar në gjashtë muajt e parë nuk do të ketë aspekte komerciale do të thotë nuk do të kalojnë tonazhet e larta me mallra, por vetëm njerëzit dhe veturat kurse pas gjashtë muajve do të kenë të drejtë të gjitha llojet e automjeteve edhe për aspekte komerciale të shfrytëzojnë këtë pikë kalim kufitar”, thuhej në përgjigjen e MPB-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat