Rrëfimi rrëqethës për ditët e fundit të Nexhmije Pagarushës

Lajme

Rrëfimi rrëqethës për ditët e fundit të Nexhmije Pagarushës

Më: 16 shkurt 2020 Në ora: 11:55
Nexhmije Pagarusha

Ishte mëngjesi i 7 shkurtit të vitit 2020 kur mbarë populli shqiptar u trondit me lajmin e vdekjes së ‘Bilbilit të Kosovës’.

Nexhmije Pagarusha, ikona e muzikës shqipe gjatë gjithë jetës së saj i ka shërbyer me nder dhe dashuri atdheut përmes artit.

Por, e gjithë kjo nuk ishte e mjaftueshme.

Diva e artit shqiptar, në pleqërinë e saj përjetoi një periudhë të rëndë si në aspektin ekonomik ashtu dhe emocional, ajo u harrua tërësisht si nga familja e saj ashtu edhe nga Institucionet shtetërore.

Cilat ishin momentet më të vështira të jetës së saj?

Pse u harrua nga institucionet dhe familja e saj?

Kush ishte fytyra publike shqiptare që ia zgjati dorën në momentet më të vështira të jetës?

Cili ishte momenti kur ajo u gëzua më së shumti?

Fitim Rrustemi, i cili ka qenë frizer i saj me 15 vite të tëra ka folur për herë të parë dhe ekskluzivisht për arbresh, ku ka rrëfyer edhe momentet e fundit të jetës së Pagarushës.

“Bilbilin e Kosovës e njohim të gjithë nga fëmijëria, njohja me të ka qenë interesant shkaku që ajo e kishte shitur banesën e saj dhe krejt rastësisht ka pasur ardhur një kat lart banesës time dhe nga aty fillova të kem një lidhje më të ngushtë shpirtërore me të.”, tha Rrustemi.

Vlerësimi i lartë dhe dashuria e madhe që kishin publiku ndaj Pagarushës, bëri që ajo të gëzonte epitetin  “Bilbili i Kosovës”, por kundër kësaj ajo nuk e morri meritën e duhur dhe në pleqëri pasi jetoi në kushte të rënda ekonomike.

“Zonja Nexhmije ka jetuar jo qysh ka qenë e duhur ajo të jetoj, në kuptimin ekonomik. Mendoj që shteti ynë nuk ka bërë diçka për te, përveç qeverisë së kaluar. Kur jam njoftuar me te, në aspektin shëndetësor ka qenë mirë”, thotë ai.

Këndoi mbi 40 vjet pa ndërprerë, në festivale të Kosovës dhe të gjitha viset e tjera, duke arritur popullaritet të madh në ish-Jugosllavi. E të gjtha këto i bëri duke e pasur prioritet të duket natyrale.

“Gjithmonë ka qenë natyrale. Nuk ka qenë e komplikuar edhe si person. Gjithmonë ka dashur të jetë sa më thjeshtë dhe natyrale dhe kundër kësaj është dukur bukur.”, deklaroi Rrustemi.

E në momentet më të vështira të jetës së saj, ishte këngëtari i njohur shqiptar, Ardit Gjebrea, i cili ia zgjati dorën dhe bëri që Pagarusha të merr vëmendjen e merituar.

“Unë mund të them që falë Ardit Gjebreas, pas luftës Pagarusha ka dalë përsëri në sipërfaqe, sepse zonja Nexhmije ishte harruar. Ishte harruar edhe nga populli, edhe nga qeveritë e kaluara, por Ardit Gjebrean e ka dashtë sepse ai ka bërë që ‘bilbilin e Kosovës’ të jetë përsëri në pah. ”

Rrustemi tregon edhe fytyrat tjera të estradës që nuk e kanë lënë vet Pagarushën në momentet më të vështira

“Kam qëndruar shumë me te. Zonja Nexhmije është vizituar nga këngëtarët e ndryshëm ,si Shyhrete Behluli, Violetë Kukaj, Shkurte Fejza dhe këngëtarë të tjerë të estradës që janë më në moshë. ”

Gjatë gjithë karrierës së saj ka kënduar mbi 150 këngë.

Kënga më e njohur e saj është “Baresha”, të cilën e ka kompozuar burri i saj, Rexho Mulliqi. Ndërsa fizeri i saj kujton edhe një fjalë të saj që thotë se nuk do t’ia harroj kurrë.

“Do ta kujtoj gjatë, do ta kujtoj si një njeri që ka qenë shumë e mirë, shumë e sinqertë. Ka qenë shumë e pastër, e drejtë, ka dashtë njerëzit, ja kujtoj një fjalë të madhe që më ka mbetur në kujtim ‘Në këtë botë zoti na ka pru të merremi me vetveten dhe punët tona, kur kemi mundësi ta ndihmojmë dikë. E kur të vdesim zoti do të merret me neve”.

“Bilbili i Kosovës”, në vitin 2012 mori edhe epitetin epitetin “Nderi i Kombit” nga  presidenti i Shqipërisë Ilir Meta. Moment ky i cili sipas frizerit të saj, Fitim Rrustemi, ishte momenti më i lumtur i Pagarushës

“Hera e parë që ka qenë krenare ajo me vetveten ka qenë dita kur shteti shqiptar atë e shpalli ‘Krenaria e Kombit’, dhe u dekorua nga Donald Trump. E në atë kohë kemi folur shumë gjatë dhe tërë kohën ka qenë shumë e gëzuar dhe i thoja se gjithmonë dua të shoh kështu.”, tha Rrustemi

Ndërsa kur e pyesim se për çka Pagarusha, ishte mërzitur më së shumti, ai thotë se gjendjen socio ekonomike të popullit

“Ajo popullin e ka dashur shumë. Situata ekonomike sociale e popullit e ka mërzitur atë. Thashethemet nuk i ka dashur.”, u shpreh ai.

Rrustemi tregon edhe momentin e fundit të cilën e ka parë Pagarushën.

“Përherë të fundit e kam parë para dy muajve dhe isha në banesën e saj. Ishte shumë keq me shëndet, vetëm më ka pyetur se si e kam djalin dhe më ka thënë që ishalla nuk bëhet si ti. S’kisha dashtë ta shoh në atë gjendje qysh ka qenë ajo “, deklaron Rrustemi.

Diva e artit shqiptar, një kohë të gjatë nuk ishte parë as me të birin e saj, e cila sipas Rrustemit ishte periudha që e kishte lënduar më së shumti në jetë.

“Unë nuk dua të hy shumë në aspektin familjar, por mendoj që kujdesi edhe ju ka bërë nga familja edhe nuk ju ka bërë. Ka qenë një përudhë që ajo nuk është parë me djalin e saj dhe ajo mendoj që e ka lënduar më së shumti dhe ka jetuar me shpresën që do të takohet me djalin e vet. Në fund është takuar edhe e ka parë 2 ose tre herë para vdekjes “, tha Rrustemi

E krejt në fund Rrustemi thotë se Pagarusha nuk ka abuzuar asnjëherë eë alkoolin e as me vetveten e saj.

“Po dëgjoj në lajme dhe emisione që po thonë që jo ka abuzuar, nuk ka qenë e shkolluar. Dua t’ju përgjigjem atyre që ajo ka qenë shumë më e dijshme se shumica e artistëve që i kemi tash. Gjithmonë ka qenë e drejtpërdrejtë me secilin, kështu që apeloj që njerëzit të kenë kujdes me deklarata e të mos thonë gjëra që e lëndojnë atë. Ajo nuk ka abuzuar me vetveten, nuk ka abuzuar me alkoolin asnjëherë, por e ka pirë për qejf me masë dhe si zonjë e vërtetë. Kështu që të kenë kujdes që të mos e lëndojnë.”, u shpreh ai.

Përveç muzikës ajo ka qenë edhe aktore. Ka luajtur në shumë filma dhe ka mbajtur koncerte në vende të ndryshme të botës, si në Izrael, Bullgari, Bosnjë dhe Hercegovinë, dhe në Kosovë e Shqipëri pa dyshim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat