Drejtori i shkarkuar i Trepçës bën kallëzim penal ndaj ministres Rozeta Hajdari dhe bordit

Lajme

Drejtori i shkarkuar i Trepçës bën kallëzim penal ndaj ministres Rozeta Hajdari dhe bordit

Më: 13 maj 2020 Në ora: 14:30
Basri Ibrahimi dhe Rozeta Hajdari

Drejtori që u shkarkua para disa javësh nga bordi i përkohshëm i emëruar nga Qeveria Kurti, Basri Ibrahimi, ka ushtruar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale të Kosovës ndaj minstres Rozeta Hajdari dhe anëtarëve të bordit që e shkarkuan.

Në dokumenti Ibrahimi pretendon se ministrja dhe anëtarët e bordit kanë kryer 2 vepra penale.

Sipas tij, njëra është “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Cënimi i të drejtave në marrëdhëniet e punes.

Siç mëson gazeta, në këtë kallëzim penal thuhet se ish-drejtori Ibrahimi u shkarkua duke u bazuar në ligjin për ndërmarrjet publike, ndonëse Trepça funksionon me ligj të veçantë.

Çështja ku Ibrahimi pretendon se i është shkëputur joligjërisht marrëdhënia e punës, sipas kallëzimit penal, është se shkarkimi u votua me bordin prej vetëm 4 anëtarësh, ndërkohë që ligji për Trepçën thotë se duhet të jenë së paku 5 për t’u krijuar shumica, meqë në bordin e kësaj ndërmarrje duhet të jenë 9 anëtarë, e jo 6 siç janë në ndërmarrjet e tjera publike.

Sidoqoftë, në arsyetimin e shkarkimit, bordi dhe ministrja Hajdari kishin thënë se shkarkimi i Ibrahimit është në vazhdimësinë e shkarkimeve nëpër ndërmarrje publike.

Vlen të theksohet se ndërmarrja Trepça po vazhdon të ketë probleme me rroga, ndërkohë që Qeveria si hisedare ka vazhduar të vonojë ndarjen e parave të nevojshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat