Myftiu Saqipi fton Myftiun Tërnava të vijë ta falë Namazin e Bajramit në Luginë të Preshevës

Lajme

Myftiu Saqipi fton Myftiun Tërnava të vijë ta falë Namazin e Bajramit në Luginë të Preshevës

Më: 21 maj 2020 Në ora: 10:41
Nexhmedin ef. Saqipi dhe Naim Tërnava

Myftiu i Luginës së Preshevës, Nexhmedin ef. Saqipi, i cili njëherit është edhe zëvendës reis i Rijasetit të Bashkësisë Islame në Serbi, ka apeluar te institucionet më të larta në Kosovë, që t'ua mundësojnë besimtarëve myslimanë faljen e Namazit të Fitër Bajramit, ashtu siç bëjnë vëllezërit e tyre në Sanxhak dhe Luginë të Preshevës.

"Është krejtësisht normale të kujdesemi për shëndetin në këto rrethana aktuale në të cilën ndodhemi gjatë pandemisë, duke i pasur parasysh akoma rrezikun që na kanos virusi i padukshëm, mirëpo me një mirëkuptim të institucioneve të larta, që merren me mbrojtjen e shëndetit publik, duhet gjetur forma e mënyra të përshtatshme për faljen e Namazit të Fitër Bajramit, që po na ofrohet gjatë këtij vikendi", thuhet, midis tjerash, në Apelin e Myftiut Saqipi.

Ai, në vazhdim, tha se është e papranueshme, madje e pakuptueshme, që besimtarëve myslimanë në shtetin fqinj të Kosovës, i cili ka pasur më shumë dëme nga kjo pandemi botërore, t'ua lejoj organizimin e faljes së Namazit të Bajramit, në përputhje me rregullat dhe rekomandimet, të cilat i ofron institucioni i lartë fetar për t'ua mundësuar hapjen e dyerve të Xhamive, për t'ua lehtësuar ditën e Bajramit.

Gjithashtu, Myftiu Saqipi, apelon te Qeveria Kurti në detyrë, që ato veprime të cilat ua lejon aktivistëve për organizimin e protestave, mos t'ua mohoj besimtarëve myslimanë organizimin e faljes së Namazit të Fitër Bajramit, në ambiente të hapura, kuptohet sipas udhëzimeve të cilat Bashkësia Islame e Kosovës, do t'i ofronte për mes një Vendimi, rreth mënyrës së organizimit me disa reduktime, gjithnjë duke respektuar distancën dhe masat tjera mbrojtëse.

Në fund, Mytiu Saqipi, tha se në Luginë të Preshevës, të gjitha xhamitë janë të hapura, për t'i kryer ceremonitë fetare me disa reduktime për myslimanët, kudo qofshin ata, madje edhe përtej kufirit, duke llogaritur edhe Myftiun Naim Tërnava, të vijnë e ta falin Namazin e Fitër Bajramit në Luginë të Preshevës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat