​UNICEF-i në Kosovë e forcon reagimin ndaj COVID-19 me mbështetjen e Japonisë - Bota Sot
​UNICEF-i në Kosovë e forcon reagimin ndaj COVID-19 me mbështetjen e Japonisë

Lajme

​UNICEF-i në Kosovë e forcon reagimin ndaj COVID-19 me mbështetjen e Japonisë

Më: 28 maj 2020 Në ora: 15:12
Ilustrim

Zyra e UNICEF në Prishtinë dhe Qeveria e Japonisë kanë lidhur partneritet për ta përkrahur popullin e Kosovës gjatë pandemisë COVID-19.

Qëllimi i këtij partneriteti është zvogëlimi i përhapjes së COVID-19 përmes ofrimit të shërbimeve esenciale shëndetësore për gratë, fëmijët dhe komunitetet e cenuara dhe qasjes në arsim.

“Përderisa Kosova po i kthehet dalëngadalë normalitetit të ri nga COVID-19, është qenësore që UNICEF-i të punojë me partnerët për të mbrojtur sa më shumë fëmijë dhe të rinj, dhe për t’i zbutur ndikimet e pandemisë në shoqëri”, tha Murat Sahin, shef i Zyrës së UNICEF-it në Prishtinë sot përgjatë takimit me ambasadorin japonez në Kosovë.

Pandemia e cila u përhap shpejt po kërcënon jo vetëm jetën e shumë njerëzve në mbarë botën, por edhe mënyrën e jetesës dhe dinjitetin e tyre. Në krahasim me sëmundjet e tjera infektive të së kaluarës, ndikimi social dhe ekonomik i shkaktuar nga COVID-19 është shumë më i madh.

“Për ta luftuar këtë krizë, Qeveria e Japonisë beson se nevojitet ndihmë emergjente për të shpëtuar jetë dhe për ta minimizuar ndikimin socio-ekonomik, si dhe për ngritjen e kapaciteteve të sistemit të shëndetësisë. Është e rëndësishme që kjo të bëhet përmes qasjes gjithëpërfshirëse bazuar në idenë e programeve ‘Siguria njerëzore’ dhe ‘Asnjë të mos mbetet pas’,” tha Mitsunori Ogasawara, i ngarkuari me punë i Ambasadës së sapo themeluar japoneze në Kosovë.

Zyra e UNICEF-it në Kosovë falënderon Qeverinë dhe popullin e Japonisë për kontributin prej 718,200 dollarësh që do të jetë thelbësor në arritjen e më shumë se 250 mijë individëve me të gjitha ndërhyrjet, duke përfshirë ofrimin e pajisjeve personale mbrojtëse, zgjerimin e programit të imunizimit dhe vizitave në shtëpi, qasjes në arsim dhe zhvillimin e shkathtësive për të rinjtë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat