Gjykatat dështuan në realizimin e Programit për Kompensimin e Viktimave të Krimit

Lajme

Gjykatat dështuan në realizimin e Programit për Kompensimin e Viktimave të Krimit

Më: 4 qershor 2020 Në ora: 12:48
Foto nga takimi

Instituti i Kosovës për Drejtësi sot ka publikuar raportin “Dështimi i gjykatave në mbushjen e Programit për Kompensimin e Viktimave të Krimit”, sipas të cilit me rastin e shpalljes së aktgjykimit nga ana e gjyqtarëve ka moszbatueshmëri të Ligjit për Kompensimin e Viktimave të Krimit. Prandaj, raporti vlerëson se gjykatat kanë dështuar që të përmbushin programin për Kompensimin e Viktimave të Krimit.

Hulumtuesja e IKD-së, Arrita Rezniqi tha se ndonëse ky ligj hyri në fuqi në vitin 2015 tek në vitin 2017 nisi së zbatuari.

Pesë kategoritë që vlerësohen si vepra të kompensueshme janë vrasje, trafikimi me njerëz, dhunimi, keqpërdorimi seksual i fëmijëve dhe veprat penale që bien brenda përkufizimit të dhunës në familje.

Ndërsa, te Komisioni për kompensimin e Viktimave të Krimit dëmshpërblim kanë kërkuar 50 persona , prej tyre 15 kërkesa janë aprovuar ndërsa 20 janë refuzuar, e 15 janë në proces.

Rezniqi: Komisioni ka pranuar gjithsej 50 kërkesa për kompensim

“370 aktgjykime dënuese të përzgjedhura në mënyrë rastësore dhe proporcionale për secilën gjykatë dhe degë të saj në këtë aspekt kemi analizuar 185 aktgjykime të vitit 2018, ku 165 janë të Gjykatave Themelore ndërsa 20 të Gjykatës së Apelit dhe njësoj është për vitin 2019. Dhe për vitin 2015 kur ka filluar Ligji për Kompensimin e Viktimave të Krimit e deri në vitin 2017 nuk kemi arritur të identifikojmë ndonjë aktgjykim ku është zbatuar ky ligj... Ky komision qysh prej funksionalizimit të tij e deri më sot ka trajtuar gjithsej 50 kërkesa për kompensim, ku në bazë të informatave që kemi pranuar kemi kuptuar se 30 prej këtyre kërkesave janë refuzuar, 15 janë aprovuar përderisa 15 të tjera janë duke u trajtuar. Prej këtyre kërkesave që janë aprovuar prej komisionit vlera më e madhe e kompensimit ka arritur shumën prej 6 mijë eurosh, përderisa vlera më e ulët që është aprovuar të kompensohet kap vlerën prej 2 mijë eurove”, tha ajo.

Ligji parasheh që gjykata duhet të obligojë të akuzuarin që të paguajë edhe taksën për kompensimin e viktimave të krimit për veprat penale që gjykohet në Departamentin e Përgjithshëm që kap shifrën 30 euro, kurse në Departamentin e Krimeve të Rënda 50 euro.

Raporti për mbushjen e Programit për Kompensim të Viktimave të Krimit vë një pah se gjyqtar të njëjtë nuk kanë zbatuar ashtu siç duhet vënie e taksës ndaj të akuzuarve.

Rezniqi: KGJK nga taksa për programin për kompensim të viktimave janë grumbulluar mbi 241 mijë euro

“Në këtë aspekt në Këshillin Gjyqësor të Kosovës që prej fillimit e deri tani janë grumbulluar gjithsej 241 mijë e 941 euro nga kjo taksë... Në kuadër të Këshillit Prokurorial të Kosovës janë grumbulluar 63 mijë e 816 euro. Në bazë të hulumtimit që kemi realizuar ne kemi gjetur se gjatë viteve 2015 dhe 2017 ky ligj pothuajse fare nuk është zbatuar kjo është vërtetuar jo vetëm për shkak të aktgjykimeve që nuk kemi arritur t’i evidentojmë por edhe në bazë të përgjigjeve nga intervistat me gjyqtar të ndryshëm dhe nga të dhënat e KGJK-së, ku kemi kuptuar se në vitin 2015 të dhënat lidhur me të hyrat nga kjo taksë nuk janë përpunuar fare, në vitin 2016 nuk ka pasur të hyra, ndërsa në vitin 2017 ka qenë një shumë fare e vogël prej 1620 eurove derisa për vitin 2018 dhe 19 jemi marr me analizën e aktgjykimeve në mënyrë rastësore për të analizuar secilën dhe në këtë drejtim nga 70 aktgjykime të analizuara që janë shpallur prej gjyqtarëve në Departamentin e Krimeve të Rënda në 28 raste nuk është zbatuar ligji, ndërsa në 42 të tjera po”, theksoi Rezniqi.

Kurse, hulumtuesi i IDK-së, Leotrim Gashi tha se zbatueshmëria e Ligjit për Kompensimin e Viktimave të Krimit në Gjykatën e Apelit është zero.

Sipas tij, gjyqtarët nuk po e zbatojnë praktikën e informimit për viktimat e krimit për të drejtën e kompensimit.

Raporti thotë se deri tani ndaj gjyqtarëve të cilët nuk po e zbatojnë këtë ligj nuk është hapur iniciuar asnjë masë disiplinore.

Gashi: Ligji për Kompensimin e Viktimave të Krimit nuk po zbatohet as në Gjykatën e Apelit

“Zbatueshmëria e ligjit për Kompensimin e Viktimave të Krimit në këtë gjykatë fatkeqësisht është rezulton se është zero, pikërisht është zero. Pikërisht Gjykata e Apelit duhet të jetë ajo gjykatë e cila duhet të luaj rolin kryesor në mënyrë që të gjithë gjyqtarët ta zbatojnë ligjin për Kompensimin e Viktimave të Krimit...Në këtë analizë të këtyre aktgjykimeve kemi vërejtur se përpos rasteve që ata kanë vërtetuar se aktgjykimi me të cilat është zbatuar taksa ka pasur raste kur kanë vërtetuar se nuk është zbatuar taksa. Kurse ajo që është më e keqja kemi pasur edhe raste në të cilat është ndryshuar aktgjykimi i gjykatës themelore por prapë edhe gjyqtarët e Gjykatës së Apelit kanë marr vendime të cilat viktimat e krimit nuk do mund të arrijnë në kompensim”, u shpreh Gashi.

Instituti i Kosovës për Drejtësi ka rekomanduar që gjyqtarët duhet me urgjencë të zbatojnë në mënyrë të plotë në çdo rast të kërkuar nenin 39 të Ligjit për Kompensim të Viktimave të Krimit, sidomos kur dihet se ky ligj ka për qëllim rritjen e buxhetit për Programin e viktimave të krimit.

Po ashtu, gjyqtarët duhet ta bëjnë praktikë të përhershme që në aktgjykimet dënuese varësisht se në cilat departamente gjykojnë, përpos shpenzime të procedurës penale dhe paushallit gjyqësor, të përcaktojnë edhe taksën në emër të viktimave të krimit etj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat