​Kufiri me Shqipërinë, nuk kërkohen rezultatet negative për testin Covid-19 - Bota Sot
​Kufiri me Shqipërinë, nuk kërkohen rezultatet negative për testin Covid-19

Lajme

​Kufiri me Shqipërinë, nuk kërkohen rezultatet negative për testin Covid-19

Më: 5 qershor 2020 Në ora: 16:24
Kufiri me Shqipërinë

Në pikën kufitare me Shqipërinë në Vërmicë po lejohen hyrja e qytetarëve, atyre po i kryhen vetëm kontrollet mjekësore, ndërsa asnjë dokument apo procedura tjetër nuk po u kërkohet.

Ndonëse në vendimin e qeverisë së kaluar u saktësua që qytetarët që duan të hyjnë në Kosovë, duhet të posedojnë rezultate negative për testin Covid-19, jo më i vjetër se katër ditë, një gjë e tillë nuk u pa që është duke u zbatuar në pikën kufitare në Vërmicë.

Media sot ka qëndruar gjatë ditës në këtë pikë kufitare ku nuk vërehej fluks i madh i automjeteve as në hyrje por as në dalje të Kosovës.

Ferdije Elshani e cila po kthehej në Kosovë nga Shqipëria, tha se për të kaluar kufirin nuk u është kërkuar ndonjë dokument apo formular i veçantë që tregon për gjendjen e tyre shëndetësore.

Ajo thotë se kanë kryer kontrollet mjekësore.

Elshani: Kemi kryer kontrollet mjekësore

“Jo përkundrazi shumë mirë na kanë pritur... asnjë gjë konkrete nuk ka pasur”, tha ajo.

Edhe Kreshnik Miftari, qytetar i Prishtinës, thotë se përveç kontrolleve mjekësore dhe të dhënat personale nuk është kërkuar diçka tjetër.

Miftari: Më kanë matur temperaturën

“Vetëm na kanë shti me e matë temperaturën, na e kanë marrë emrin dhe mbiemrin ku keni qenë dhe ku po shkoni”, tha ai.

Sipas Thoma Pravaliqi shoferë i maunës në këtë pikë kufitare gjithçka është nën kontroll.

Ai thotë qarkullimi i mauneve në këtë pikë është lehtësuar edhe pas largimit për masën për dezinfektim të kamionëve.

Pravaliqi: Situata është shumë e stabilizuar

“Çdo gjë është nën kontroll, situata është shumë e stabilizuar, kontrollet bëhen, nuk kemi as vonesa, asnjë gjë... sigurisht po edhe ajo e ka lehtësuar shumë”, tha ai.

Vendimi për mbylljen e kufijve ishte vendosur nga autoritetet e Kosovës më 13 mars të këtij viti në kuadër të shumë masave parandaluese të mundësisë së përhapjes së COVID-19.

Kufijtë tokësor në Kosovë janë hapur që nga 1 qershori.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat