KE propozon hapjen e kufijve për Ballkanin më 1 korrik

Lajme

KE propozon hapjen e kufijve për Ballkanin më 1 korrik

Më: 11 qershor 2020 Në ora: 13:28
Komisioni Evropian

Komisioni Evropian ka rekomanduar të enjten hapjen graduale të kufijve të jashtëm të Bashkimit Evropian nga 1 korriku, për shtetasit e huaj, duke marrë parasysh situatën epidemiologjike.

Komisioni ka propozuar që masa e ndalimit të hyrjes në BE, të hiqet për ato vende, të cilat dëshmojnë se situata e përhapjes së koronavirusit është e menaxhueshme.

Në propozimin e Komisionit Evropian, kufizimet është kërkuar që të hiqen për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor: Kosovë, Shqipëri, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi, Bosnje-Hercegovinë dhe Serbi.

Komisioni e ka arsyetuar këtë kërkesë, me faktin që “situata epidemiologjike e tyre është e ngjashme apo edhe më e mirë sesa në BE”.

Sipas tij, ky rekomandim është edhe në përputhje me gadishmërinë e shprehur të Komisionit Evropian që të përfshijë për së afërmi vendet e Ballkanit Perëndimor në zbatimin e udhërrëfyesit për heqjen e masave kufizuese në luftën kundër pandemisë.

Aty është përfshirë edhe rekomandimi për rifillimin e punës në përfaqësitë diplomatike dhe konsullore për dhënien e vizave.

Sa u përket vendeve të tjera, Komisioni ka propozuar që vendimet të kushtëzohen me situatën epidemiologjike në to, me mundësinë e testimeve, vëzhgimit të personave të infektuar si dhe me kufizimet që kanë ato vende për hyrjen e daljen e shtetasve të BE-së.

Mes tjerash është kërkuar që pas 1 korrikut të aplikohen masa lehtësuese për studentët edhe punëtorët sezonalë, si dhe prej datës 15 qershor të hiqen të gjitha kontrollet kufitare mes vendeve të bllokut evropian. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat