Mbesin me dry: As pas vendimit të ri, Qeveria nuk hap teatrot dhe kinematë

Lajme

Mbesin me dry: As pas vendimit të ri, Qeveria nuk hap teatrot dhe kinematë

Më: 24 qershor 2020 Në ora: 14:48

As pas vendimit të ri të Qeverisë së Kosovës, që tash drejtohet nga kryeministri Avdullah Hoti, nuk është marrë vendim që teatrot dhe kinematë të hapën dhe kështu këto dy qendra do të qëndrojnë ende mbyllur deri në një vendim të pacaktuar.

Qeveria e Kosovës në bazë të rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike dhe Komisionit Ekzekutiv për luftimin, monitorimin dhe reagimin ndaj koronavirusit, kanë marrë vendim që mbrëmë të vazhdojë lehtësimin e masave.

Me vendimin e aprovuar edhe nga kabineti, Qeveria ka marrë vendim që të rifillojë  transporti ajror dhe hapet Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës ‘Adem Jashari’ për vijat e rregullta të domosdoshme, me masa të shtuara të sigurisë, duke pasur prioritet shëndetin publik dhe parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Përveç kufirit ajror, dje u mor vendim që të hapet edhe komplet sektori i gastronomisë, pishinat, si dhe tregu mobil.

Pas vendimit të djeshëm pa hapur kanë mbetur dy qendrat, ku njëra është kulturore-artistike, teatri dhe tjetra është objekt ku jepen shfaqje kinematografike, kinematë.

Teatri dhe kinematë ishin paraparë që të hapen në fazën e tretë të masave lehtësuese, saktësisht me 1 qershor, por që ishte shtyer hapja e tyre.

Ish-ministri i Shëndetësisë në Qeverinë Kurti, Arben Vitia, gjatë një konference kishte thënë se hapja e teatrove dhe kinemave shtyhet për një kohë të pacaktuar me rekomandim të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës dhe organizatave prestigjioze shëndetësore në botë.

Në  fazën e tretë të masave lehtësuese të Qeverisë për shkak të COVID-19, hapja e kinemave dhe teatrove ishte paraparë të bëhet nga 1 qershori 2020, në të njëjtën kohë me hapjet e qendrave tregtare, gastronomisë, çerdheve, etj.

Lidhur me hapjen e teatrove dhe kinemave, ende askush nuk ka folur nga Qeveria Hoti.

Ndërkaq për mos hapjen e tyre ka pasur reagime nga artistët, por edhe nga qytetarët. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat