Përsëritja e zgjedhjeve, Cakaj thirrje shqiptarëve në Bujanoc: Dilni në votime dhe mbështesni Luginën e Bashkuar

Lajme

Përsëritja e zgjedhjeve, Cakaj thirrje shqiptarëve në Bujanoc: Dilni në votime dhe mbështesni Luginën e Bashkuar

Më: 29 qershor 2020 Në ora: 15:52
Gent Cakaj

Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, u ka bërë thirrje të gjithë shqiptarëve që jetojnë në Bujanoc që më datën 1 korrik, në qendrat ku do të ketë përsëritje të zgjedhjeve, duhet të ketë një dalje masive në votime dhe një mbështetje të fortë për listën e Luginës së Bashkuar.

Kjo, sipas Cakaj është thelbësore jo vetëm për mandatin e tretë, por edhe për të ruajtur frymën shqiptare në Bujanoc.

Prandaj, nisur nga fakti se Kosova e Shqipëria kanë mbështetur fuqimisht këtë listë, Cakaj bën thirrje për mbështetje deri në fund të kësaj ndërmarrjeje të përbashkët në të mirë të shqiptarëve.

Gjithashtu, Cakaj bën me dije se pas vizitës së fundit në Luginë, Qeveria e Shqipërisë ka dhënë edhe mbështetjen e nevojshme për Këshillin Kombëtar Shqiptar për përmbylljen e procedurave tarifore të teksteve të nevojshme shkollore, sipas përcaktimeve të legjislacionit atje.

Kjo mbështetje shtesë vjen pasi janë aprovuar 24 tituj tekstesh shkollore të reja, të cilat do të jenë në shërbim të arsimit në gjuhën shqipe në Luginën e Preshevës.

“Natyrisht, marrë parasysh gjendjen e rëndë të shqiptarëve në Luginë, duhet theksuar se mbetet ende shumë, shumë, shumë për t’u bërë“, theksoi Cakaj.

Gjithashtu, Cakaj përgëzon veçanërisht ministren e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahinin, për punën e shkëlqyer në forcimin e mësimit shqip, në Luginën e Preshevës.

“Ne do të vazhdojmë me qasje të bashkërenduar e vëmendje të shtuar për çështjet e shqiptarëve në Luginë”, garantoi Cakaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat