Këshilli Shtetëror i Cilësisë nuk akrediton disa kolegje private

Lajme

Këshilli Shtetëror i Cilësisë nuk akrediton disa kolegje private

Më: 12 korrik 2020 Në ora: 13:11

Tetë nga 14 institucionet e arsimit të lartë që kanë qenë në proces të akreditimit institucional nuk janë akredituar nga Këshilli Shtetëror i Cilësisë.

Të gjitha janë kolegje private.Kryetari i Bordit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim, Gazmend Luboteni, në një përgjigje me shkrim për media , tha se këto institucione nuk do të mund të regjistrojnë studentë të rinj në vitin akademik 2020/2021 në asnjë program studimi.

Në mbledhjen e fundit të Bordit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim është marrë vendim për mos akreditim për tetë institucione të arsimit të lartë. Sipas tij, nëse një institucion për herë të dytë radhazi nuk e merr akreditimin atëherë e humb licencën.

“Disa institucione (kolegje private) nuk kane marrë akreditim institucional dhe nuk do të mund të regjistrojnë studentë të rinj në vitin akademik 2020/2021 në asnjë program. Nëse për herë të dytë radhazi institucioni i njëjtë ka dështuar në akreditimin institucional, ky institucion e humb licencën. Institucionet e arsimit të lartë që kanë dështuar në akreditim, mund të parashtrojnë ankesë”, tha Luboteni.

Ai theksoi se Këshilli Shtetëror i Cilësisë vendimin e ka marrë bazuar në vlerësimin e ekspertëve ndërkombëtarë.“Duhet pasur parasysh faktin se vendimi i Këshillit Shtetëror të Cilësisë bazohet në vlerësimin e ekspertëve ndërkombëtarë, që kanë përvojë të konsiderueshme në fushën e akreditimit”, tha ai.

Institucionet e arsimit të lartë që nuk kanë marrë akreditim institucional janë Kolegji Dukagjini, Kolegji Fama, Iliria, Pjetër Budi, Kolegji Tempulli, Arbëria, Biznesi edhe Kolegji Universi.Institucionet e arsimit të lartë që kanë marrë akreditim institucional janë pesë universitete dhe një kolegj privat.

Bëhet fjalë për Universitetin e Prishtinës, Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, Universitetin e Pejës, Universitetin e Prizrenit dhe Kolegjin UBT në Prizren dhe Ferizaj.Procesi për akreditim institucional për këtë vit ka përfunduar, ndërkaq tashmë ka nisur procesi për akreditimin e programeve studimore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat