Qytetari nga Kosova pagoi 120 euro testin për koronavirus për të udhëtuar drejt Malit të Zi

Lajme

Qytetari nga Kosova pagoi 120 euro testin për koronavirus për të udhëtuar drejt Malit të Zi

Më: 13 korrik 2020 Në ora: 21:09
Foto Ilustrim

A.Gj. i është nënshtruar testit për koronavirus në një laborator privat në Prishtinë për çka ka paguar 120 euro.

Atij i duhej një rezultat negativ i PCR testit, në mënyrë që të mund të udhëtonte jashtë vendit.

Pasi kishte caktuar terminin, A.GJ., thotë se kishte shkuar në laboratorin në Prishtinë ku i ishte marrë mostra përmes strishos në hundë.

Siç ishte njoftuar nga punëtorët e laboratorit, mostra ishte dërguar për testim në Maqedoni të Veriut.

“Para një jave e kam bërë testin. Mostrat i dërgojnë në Maqedoni (v.j. të Veriut), pastaj rezultatet t’i japin në Prishtinë në gjuhën maqedonase. Por, testi ish i pranueshëm në kufi. Në hundë ma kanë marrë (mostrën), se me gjak thanë se nuk më lëshojnë vërtetim. Pa letra mua nuk më duhej asgjë. Mua më duhej për ta kaluar kufirin ”, thotë A.GJ.

A.Gj kishte udhëtuar drejt Malit të Zi dhe nuk kishte pasur asnjë problem në kalimin e kufirit.

Në Ministrinë e Shëndetësisë në Kosovë konfirmojnë se kanë pranuar denoncime nga qytetarët për testet që po kryhen nga laboratorët privatë.

Ky institucion ka konfirmuar se Inspektorati shëndetësor ka nisur hetimet pasi deri me tani asnjë institucion privat nuk është licencuar për të kryer testime për SARS-COV-2.

“Ministria e Shëndetësisë ka pranuar nga qytetarët denoncime të ndryshme lidhur me testimet për COVID-19 në sektorin privat, pavarësisht se askush prej institucioneve private nuk është i licencuar për të kryer teste për SARS-COV-2. Inspektorati shëndetësor po i hulumton këto pretendime. Në Kosovë, ka laboratorë të mikrobiologjisë, por deri tash asnjëri prej tyre nuk ka qenë i licencuar për testime për COVID-19”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë dhënë për REL.

Me rritjen e numrit të personave të infektuar, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka filluar që të mos testojë të gjithë personat që paraqiten apo edhe rastet e kontaktit.

Aktualisht në Kosovë vazhdojnë të testohen vetëm ata persona që kanë simptoma më të shprehura të sëmundjes COVID-19

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat