Haxhiu reagon ndaj aktvendimit të Gjykatës së Apelit për procesin e noterisë

Lajme

Haxhiu reagon ndaj aktvendimit të Gjykatës së Apelit për procesin e noterisë

Më: 23 korrik 2020 Në ora: 17:54
Albulena Haxhiu

“Ministria e Drejtësisë duhet ta dërgojë në Gjykatën Supreme këtë aktvendim dhe në anën tjetër gjyqtari në fjalë do të duhej t’i nënshtrohet përgjegjësisë disiplinore”.

Deputetja nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka reaguar lidhur me aktvendimin e Gjykatës së Apelit për procesin e noterisë.

Sipas saj, Gjykata Themelore – departamenti për çështje administrative, tri herë radhazi kishte refuzuar me të drejtë, kërkesën për masë të përkohshme lidhur me vendimin për anulimin e procesit të noterisë.

“Tri herë radhazi, Gjykata e Apelit, dep. për çështje administrative, e kishte kthyer në rivendosje, por herën e tretë, kishte kërkuar edhe ndryshimin e gjyqtarit për këtë lëndë”.

Më poshtë mund ta lexoni reagimin e plotë të saj:

Edhe përkundër këtij vendimi skandaloz të Apelit, departamenti administrativ i Gjykatës Themelore, sërish kishte refuzuar kërkesën për masën e përkohshme por tani meqë ky vendim i drejtë nuk i kishte pëlqyer Apelit, kolegji i Apelit paska vendosur masën e përkohshme pra ka ndaluar ekzekutimin e atij vendimi.

Ky aktvendim është skandaloz dhe legjitimon një proces të komprometuar i cili ishte përcjellë me paligjshmëri, jotransparencë dhe jobjektivitet. Ky aktvendim është në kundërshtim me interesin publik.

Ky aktvendim është i ndikuar dhe i papranueshëm sepse në listën e kandidatëve të cilët kishin kaluar provimin e noterisë, ishte edhe bashkëshortja e deputetit Hajredin Kuçi, ndërsa si kryetar kolegji në këtë aktvendim paska qenë gjyqtari Ramiz Kuqi, dhe sipas informacioneve i njëjti ështe familjar i deputetit Hajredin Kuçi. Kjo assesi nuk mund të jetë e rastësishme.

Prandaj ky vendim nuk mund të quhet i paanshëm, përkundrazi. Arsyetimi se në këtë rast ka qenë palë dikush tjetër është i pa bazë sepse ky aktvendim vlen edhe për kontestet tjera.

Gjyqtarët e kanë për obligim që të ushtrojnë përgjegjësitë në mënyrë të paanshme, të shmangin konfliktin e interesit dhe të përjashtojnë veten nga pjesëmarrja në rastet ku mund t’i vihet në pikëpyetje anshmëria.

Këto vendime skandaloze, janë dëshmia e qartë se sa shumë i nevojshëm është procesi i vetingut në Kosovë. Proces nga i cili do të dilnin profesionist të ndershëm.

Ministria e Drejtësisë duhet ta dërgojë në Gjykatën Supreme këtë aktvendim dhe në anën tjetër gjyqtari në fjalë do të duhej t’i nënshtrohet përgjegjësisë disiplinore.

⚠️ REAGIM lidhur me aktvendimin e Gjykatës së Apelit për procesin e noterisë Gjykata Themelore, departamenti për...

Posted by Albulena Haxhiu on E enjte, 23 korrik 2020
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat