Haziri: Afro 1 mijë vende pune u humbën në Gjilan shkaku pandemisë, Qeveria të largojë masën e ndalim-qarkullimit

Lajme

Haziri: Afro 1 mijë vende pune u humbën në Gjilan shkaku pandemisë, Qeveria të largojë masën e ndalim-qarkullimit

Më: 27 korrik 2020 Në ora: 13:19
Lutfi Haziri

131 raste aktive me COVID-19 në komunën e Gjilanit, nga gjithsej 414 persona të infektuar brenda katër muajve.

Nga rezultatet e fundit të publikuara dje nga Instituti Kombëtarë Shëndetësorë i Kosovës u konfirmuan edhe gjashtë raste të reja, teksa duhet përkujtuar që nga kjo komunë 12 qytetarë humbën jetën si pasojë e infeksionit me COVID-19.

Lidhur me gjithë këtë situatë, Indeksonline ka kontaktuar të parin e komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri.

Haziri deklaroi se përpos gjendjes shëndetësore nëpër të cilën kanë kaluar dhe vazhdojnë të kalojnë shumë gjilanas të prekur nga ky virus, dëme të mëdha janë shkaktuar edhe në sektorin ekonomik.

Madje sipas të njëjtit do ishte mirë që masa e ndalim-qarkullimit që është e vendosur nga ora 21:00 deri në ora 05:00 të largohet.

“271 prej tyre janë shëruar plotësisht, 131 raste i kemi aktive, derisa 25 pacientë janë të hospitalizuar dhe nën monitorimin e vazhdueshëm nga stafi mjekësor. Fatkeqësisht 12 qytetarë kanë humbur betejën në përballje me virusin korona që këtë përballje e kanë vështirësuar edhe më shumë”, tha Haziri.

Situata disa mujorëshe e krijuar nga pandemia COVID-19 përpos që ka prekur shëndetësinë, ka pasur ndikim tejet të lartë edhe në ekonomikë e vendit, e për këtë Haziri deklaroi se komuna e Gjilanit ka ndërtuar një ekip të ekonomisë, nën udhëheqjen e Drejtorisë për Zhvillim Lokal Ekonomik, ku përfshihen edhe Odat Ekonomike.

I njëjti bëri të ditur se nga vlerësimet e deritanishme është kuptuar se afro 1 mijë vende të punës janë humbur, ose rrezikuar totalisht.

“Odat ekonomike, Drejtorinë Rajonale të Punësimit atë të Bujqësisë etj, për vlerësimin e dëmeve ekonomike gjatë pandemisë dhe si pasojë e masave për përballje me pandeminë. Gjetjet janë frikësuese për sektorin e ekonomisë, e në veçanti për institucionet e shtetit, sepse ndikimi është i jashtëzakonshëm. Ne kemi bërë vlerësimet edhe të dëmeve në sektorin e bujqësisë te ekonomia familjare bujqësore, te përpunimi i prodhimit të ushqimit si aktivitet ekonomik, por edhe te ekonomia në përgjithësi. Afër 1000 vende të punës janë humbur, ose janë rrezikuar totalisht. Nëse vazhdohet me masa të njëjta, rrezikohet me pas efekt domino në gjithë ekonominë gjilanase. Ndalimi i lëvizjes së lirë të qarkullimit, nga ora 21:00 deri në orën 5:00, mbyllja e çerdheve, mbyllja e klubeve të sportit dhe shkollave të sportit, fitnes klubeve etj., janë veprime të ngutshme dhe duhet të rishikohen me urgjencë dhe ky është edhe propozimi i Komunës së Gjilanit”, tha Haziri.

Haziri tha se në tre mujorin e parë të pandemisë, mbyllja e plotë dhe më pas relaksimi i masave të ndërmarra pati efekt dhe kundër-efekt, e që hapja e shpejtë i nxori shumë komuna jashtë kontrollit, por jo edhe Gjilanin. Madje ai tha se duhet vazhduar koordinimi i plotë i komunave bashkë me qeverinë që të mos-bëhet përhapja edhe më e madhe virusale.

“Mbyllja e plotë kishte efektin e ndaljes dhe menaxhimit të plotë në mospërhapje të pandemisë, mandej hapja e shpejt i ka nxjerrë shumë komuna jashtë kontrollit të menaxhimit, por Gjilanin jo. Gjilani menaxhon saktë dhe e dimë çdo kontakt dhe burimin e infeksionit. Deri sot, ne e kemi menaxhuar maksimalisht. Fatkeqësisht, 12 qytetarë të Gjilanit kanë humbur betejën me Covid-19 dhe kjo është dhimbja më e madhe. Vdekja e një të riu në këtë grup, është njolla e zezë e gjithë pandemisë, bëhet fjalë humbja e jetës së Agon Musliut. Duhet të vazhdojmë me koordinim të plotë të qeverisë dhe institucioneve komunale në veçanti në menaxhim, për mos përhapje të Covid-19”, deklaroi Haziri.

Haziri poashtu tha se i kanë dhënë propozimet e tyre në drejtim të Qeverisë dhe se beson se ato do të merren në konsideratë lidhur me këtë situatë në të cilën ndodhet vendi. Haziri ndër të tjerash tha se sa i përket qytetit të Gjilanit duhet të largohet masa e ndalim-qarkullimit në mbrëmje.

“Ne i kemi dhënë propozimet tona Qeverisë së Kosovës. Besojmë shumë që ato do të merren në konsideratë. Sa i përket Komunës së Gjilanit, duhet të relaksohet dhe duhet të largohet masa e ndalim qarkullimit në mbrëmje. Duhet të hapen çerdhet me urgjencë, klubet dhe shkollat e sportit. Teatrot duhet të hapen, sikurse edhe bibliotekat, por sipas rregullave të parandalimit të përhapjes. Kjo për të na mundësuar edhe neve që të menaxhojmë më mirë. Janë selektive për Komunën e Gjilanit këto masa dhe neve na vështirësojnë në punën tonë. Duket që në një anë është më lehtë, por nuk jemi të interesuar me polici dhe me masa represive me e menaxhu Covid-in. Ne jemi të interesuar që me masa administrative dhe me solidaritet dhe lojalitet qytetar ta vazhdojmë menaxhimin”, tha ai.

Haziri ka apeluar tek qytetarët për kujës të shtuar, në mënyrë që të mos zgjerohet infeksionit i këtij virusi.

“Apeli im është të ruheni, duhet të jetojmë me kujdes të shtuar, në mënyrë që të mos infektoheni, dhe në të njëjtën kohë, ta mbroni familjen tuaj. Vërtetë infeksioni mund të marr me vete më të dashurit tuaj”, përfundoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat