Rëndësia e gjuhës gjermane në tregun e punës në Kosovë

Lajme

Rëndësia e gjuhës gjermane në tregun e punës në Kosovë

Më: 3 gusht 2020 Në ora: 08:38
Foto ilustrim

Gjuha gjermane hyn në mesin e gjuhëve më të folura në të gjithë globin dhe është edhe ndër gjuhët më të folura në Evropë. Gjermanishtja mund t’i lidhë individët me më shumë se 100 milionë folës në mbarë botën. Njihet po ashtu edhe si gjuhë kryesore e biznesit dhe si gjuha e tretë e punës që përdoret në Bashkimin Evropian.

Gjuhës gjermane, çdo vit e më shumë po i shtohet vlera edhe në tregun e punës në Kosovë. Janë të shumta kërkesat për të mësuar gjuhën e gjermane sepse edhe mundësitë e punësimit për njerëzit që e njohin këtë gjuhë po rriten gjithnjë e më shumë.

Fidaim Sheholli, Menaxher i Departamentit të Trajnimeve në kompaninë më të madhe botërore për shërbime ndaj klientëve Teleperformance, ka thënë se njohja e gjuhës gjermane, sjellë një mori përfitimesh në punësim. Ai tha edhe se mundësitë e punësimit nuk janë të pakta, kur individi njeh gjuhën gjermane.

“Është një treg mjaft i madh i kompanive gjermane që kanë synim ardhjen në Kosovë, për shkak se ato kompani sigurisht që e bëjnë edhe një hulumtim të ri dhe shohin se në Kosovë sidomos resurset njerëzore janë mjaft të përgatitur në aspektin e dijes dhe kualifikimit por shohin se është edhe një numër i caktuar i atyre që njohin gjuhën gjermane. Me avancimin e teknologjisë, sot nga Kosova mund të punohet për kompani të huaja në Gjermani apo në vende gjermanofolëse siç është Zvicra ose Austria. Kështu që, mendoj që gjuha gjermane tani është më e kërkuar sesa gjuha angleze pasiqë ekzistojnë një numër i madh i njerëzve që veç e dinë gjuhën angleze, po çka është momentalisht e kërkuar, është gjuha gjermane”.

Ai tha se krahas nivelit të shkollimit, tek ai ka qenë një vlerë e shtuar njohja e gjuhës gjermane për shkak se i ka mundësuar ngritjen në karrierë. “Mund të kesh edhe një master këtu në Kosovë por vendet e punës janë aq të kufizuara saqë edhe nëse punon në institucione të tjera, nuk e ke ndoshta aq të sigurtë mundësinë e ngritjes në karrierë, ashtu siç e ke nëpër kompani gjermane ose ndërkombëtare në përgjithësi”

Sipas tij, me ardhjen e bizneseve të huaja në Kosovë jo vetëm që është përmirësuar puna brenda Kosovës në aspektin e punëmarrësit, apo janë përmirësuar kushtet e punës dhe vlerësimi i punëtorëve por kjo ka ndikuar edhe në përmirësimin e klimës biznesore në Kosovë. Kjo ngase tashmë ndërmarrjet po fokusohen shumë në atë se si t’i motivojnë punëtorët por gjithashtu edhe në ngritjen e pagave.

Ai thekson se ndikon shumë edhe aspekti financiar dhe vlerësimi i punëtorit, çka kompanitë e huaja i kanë prioritete. Sipas tij, është mirë që në shkolla fillore e të mesme në Kosovë të jetë medoemos një lëndë zgjedhore e gjuhës gjermane dhe se duhet pasur parasysh faktin që mosha mesatare në Gjermani është dikund 46 vite ndërkaq në Kosovë 27-29. Si rrjedhojë, Kosova ofron një potencial të jashtëzakonshëm të atyre që zotërojnë shumë mirë gjuhën gjermane.

Sheholli thekson se përvojat e tij të mëparshme nëpër banka e institucione të ndryshme nuk i kanë dhënë mundësinë e ngritjes në karrierë siç ka ndodhur në kompanitë ku i është nevojitur gjuha gjermane për punë, çka njëkohësisht i ka ndihmuar edhe në aspekt financiar. Kjo sepse kompanitë e huaja paguajnë kryesisht më mirë sesa ato vendore. Ai ka një porosi për të rinjtë në Kosovë, të cilët presin të përfshihen në treg të punës.

“Këshilla ime për të rinjtë është të shfrytëzojnë kohën në mënyrë racionale, të investojnë në avancimin e tyre, ta mësojnë gjuhën gjermane. Një individ, pavarësisht shkollimit që posedon, nëse e din gjuhën gjermane dhe punon në një sektor tjetër, jo në një kompani të huaj, ai e ka potencialin e tij, që është një vlerë e shtuar gjuha gjermane, dhe ai mund të dalë prej një biznesi ku nuk trajtohet mirë në një biznes ndërkombëtar sepse kompanitë vendore e ndjekin logjikën e ndëshkimit dhe jo të motivimit. Pra, ai person e ka mundësinë të kalojë në një kompani që i çmon këto gjëra, e këto kompani kanë ndikuar jashtëzakonisht mirë në përmirësimin e infrastrukturës së punës por edhe të trajtimit të mirë të punëtorëve sepse tash e dimë çka është mirë të bëhet dhe çka jo”

Zanë Havolli - Veseli, Senior Recruiter në kompaninë e rekrutimit HumanPower, tash e disa vite merret direkt me rekrutimin e gjermanofolësve për kompaninë botërore për shërbime ndaj klientëve, Teleperformance. Në një intervistë për AkademiPune, ajo ka thënë se kërkesa për të punësuar gjermanofolës është shumë e madhe në treg të punës. Ajo tregon se Teleperformanca në tri vitet e kaluara ka punësuar mbi 500 persona që njohin gjuhën gjermane.

“Janë mbi 500 persona gjermanofolës nga Kosova të punësuar në kompaninë më të madhe botërore për shërbime ndaj klientëve, Teleperformancë. Pjesa dërmuese e tyre e flasin rrjedhshëm gjuhën gjermane, ka prej atyre që e kanë mësuar gjatë kohës sa kanë jetuar në vende gjermanofolëse, në kurse apo edhe nëpërmjet televizorit. Njohja e gjuhës gjermane absolutisht sjellë përfitime të shumta në aspekt të punësimit sepse kryesisht këta njerëz fillojnë të punojnë me metoda më ndryshe, domethënë me standarde gjermane të punësimit. Personalisht si rekrutere dhe e involvuar direkt në rekrutimin e gjermanofolësve, mund të them që ka pasur raste kur njohja e gjuhës gjermane e ka bërë diferencën në jetën e disa personave që sot gëzojnë punën aty.”

Havolli ndër tjera tregon se një pjesë e madhe e punonjësve vazhdojnë punën aty, si shkak i benefiteve të mëdha që kanë pasur ndër vite.

Ndërkaq, Allen Pajaziti, mësimdhënës i ri i gjuhës gjermane në shkollën e gjuhëve të huaja Britannica ELT, tregon se interesimi për ta mësuar gjuhën gjermane është shumë i madh.

“Interesimi për ta mësuar gjuhën gjermane është jashtëzakonisht i madh, duke e pasur parasysh faktin që sistemi i arsimit në Kosovë ka ndërruar dhe të rinjtë duan ta përvetësojnë atë që e mësojnë në shkolla. Gjuha angleze tashmë është bërë gjuhë dytësore tek ne dhe thuajse nuk ka anëtar në familje prej gjeneratave tash e tutje që nuk po e dinë gjuhën angleze, pse jo mos me e mësu edhe gjuhën gjermane”

Ai thotë se personat që duan ta mësojnë gjuhën gjermane kanë qëllime vetanake. Gjuha gjermane ua mundëson të gjinden në shtete të tjera si Gjermani, Zvicër, Austri, Luksemburg por edhe sepse kjo gjuhë tashmë është bërë një gjuhë universale sa i përket komunikimit, kuptimit apo marrëveshjeve në përgjithësi.

“Dallon rasti nga rast, gjeneratat më të reja vijnë shkaku i arsimimit në shkollë, nuk duan ta lënë me aq sa mësojnë në shkolla se në shkollë është sistemi ndryshe, i ke 45 minuta për një klasë, ajo nuk mund të nxjerrë mësim cilësor. Kjo është njëra prej arsyeve pse vijnë tek ne, dikush është i interesuar të shkojë jashtë Kosovës, disa kanë synim të bëhen poliglotë, disa e mësojnë veç për qejf. Ka shumë përfitime edhe në Kosovë, sa ma shumë gjuhë që din aq më shumë vlen. Në Kosovë kanë filluar shumica e firmave të bëjnë outsourcing dhe njëra prej arsyeve pse duhet të mësohet gjuha gjermane është se ofrohet një punë më e mirë, janë pagat më të larta, është orari i punës më në rregull, etj”.

Edhe Driton Peci, agjent i thirrjeve në kompaninë Teleperformance, thotë se njohuritë në gjuhën gjermane i kanë sjellë shumë përfitime në karrierë. Ai tash e dy vite punon në Teleperformancë dhe thotë se është shumë i kënaqur me kushtet e punës, metodat, ambientin në përgjithësi.

“Sa i përket punësimit, është një ambient më ndryshe nga ajo që jemi mësuar të bëjmë në Kosovë, duke pasur parasysh mënyrën e funksionimit të bizneseve në Kosovë. Modeli gjerman i punësimit që në tregun tonë nuk është thuajse fare i përhapur dhe ligjet e aprovuara nuk zbatohen është definitivisht diçka që të bën të vëresh dallimin. Duke e njohur gjuhën gjermane, nuk kam pasur vështirësi kurrë të punësohem, nuk e kam pasur ndonjëherë një periudhë të gjatë që kam qenë i papunë. Tregu ta mundëson këtë fleksibilitet sepse nuk je i varur veç prej një punëdhënësi e as punëdhënësi prej teje, kjo shkakton edhe një lloj balance sa i përket pagave të cilat janë më të mira se veprimtaritë e tjera në Kosovë”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat