Opozita thotë se Qeveria Hoti dështoi në 100 ditëshin e saj

Lajme

Opozita thotë se Qeveria Hoti dështoi në 100 ditëshin e saj

Më: 15 shtator 2020 Në ora: 14:46
Foto ilustrim

Partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës konsiderojnë se Qeveria Hoti ka dështuar në 100 ditëshin e punës së saj.

Nga LVV dhe PDK thonë se Qeveria Hoti ka dështuar në menaxhimin e pandemisë COVID-19 si dhe në dialogun me Serbinë.

Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Përparim Kryeziu në një deklaratë  ka thënë se Qeveria Hoti është qeveri e pakicës.

“Ajo sot në Kuvend ka më pak se 60 deputetë, ka vetëm 40 deputetë shqiptar, dhe nuk e ka as 1/3 e mbështetjes qytetarë të shprehur me votë të lirë me 6 tetor. E njëjta, në përballje me krizën e shumëfishtë dështoi të adresonte nevojat e qytetarëve derisa ishte shumë efikase në aprovimin e kërkesave të Serbisë në raport me Republikën e Kosovës. Këto 100 ditë shënojnë dallimin e qeverisjes së mirë legjitime që luftonte krimin e korrupsioni, menaxhonte mirë me pandeminë dhe e nisi ç’kapjen e shtetit nga shpërdorimi, me atë të një qeverisje të paligjshme që ia hoqi reciprocitetin Serbisë, dështoi plotësisht në menaxhimin e pandemisë, dhe rifilloi kapjen e ndërmarrjeve publike”, ka thënë Kryeziu.

Kryeziu ka thënë se Qeveria iu nënshtrua çdo kërkese të Serbisë në procesin e dialogut.

“Pra gjatë këtyre 100 ditëve, kjo qeveri iu nënshtrua ndaj çdo kërkese të Serbisë në procesin e dialogut, fillimisht duket larguar reciprocitetin, e më pastaj duke suspenduar shtetësinë e Kosovës sipas kërkesës së Serbisë. Së fundmi u zotua për t’u bërë pjesë e zonës Novi Sad (minischengen) sipas projektit të Serbisë, për ta bërë Ujmanin pjesë të diskutimeve me Serbinë e për të zbatuar marrëveshjen e ‘Zajdenicës’ sipas synimeve të kamotshme të saj”, është shprehur ai.

Duke komentuar 100 ditëshin e Qeverisë, Kryeziu tha se dështim është edhe mënyra se si e kanë menaxhuar pandeminë COVID-19.

“Ajo dështoi në menaxhimin e pandemisë në mungesë të ndjeshmërisë ndaj virusit dhe dëmeve të tij, derisa vendimet pa bazë shkencore e pa rrjedhë logjike bënë që brenda 100 ditëve Kosova nga vendi shembull i menaxhimit me pandeminë në vendin me rekord infektimesh e vdekshmërinë më të lartë në botë. Kujtojmë se për vetëm 100 ditë, Kosova, nën këtë qeverisje, ka regjistruar plot 13,354 të infektuar dhe 556 viktima”, deklaroi ai.

Zëdhënësi i LVV-së, pohoi se Qeveria Kurti ka dështuar edhe në kujdesin për shëndetin e ekonomisë.

“100 ditë pas, kjo qeveria nuk ka qenë në gjendje që të fillojë zbatimin e qoftë edhe të një politike apo veprimi me karakter ekonomik që do të shërbente në rimëkëmbjen ekonomisë, për dallim nga Qeveria Kurti e cila brenda dy muajsh veçse kishte hartuar dhe filluar zbatimin e Pakos Fiskale Emergjente derisa kishte përgatitur edhe Pakon e Rimëkëmbjes Ekonomike.
Si përfundim, këto 100 ditë, përveç se të paligjshme, kanë qenë 100 ditë nënshtrim, dështim, keqmenaxhim e regres”, ka thënë ndër të tjera Kryeziu.

Kritika për punën e Qeverisë Hoti, ka edhe në Partinë Demokratike të Kosovës.

Zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës, Bashmir Xhemaj ka thënë për Telegrafin se Qeveria Hoti ka dështuar në menaxhimin e pandemisë COVID-19.

“Kjo periudhë e qeverisjes 100 ditëshe të kryeministrit Hoti u karakterizua me dështim në menaxhimin e pandemisë, ku Kosova shënoi ndër rastet më larta në botë sa i përket numrit të të infektuarve dhe të vdekurve për kokë banori. Kosova u fut në listën e zezë të udhëtimeve të qytetarëve nga shumica e vendeve të rajonit dhe ato evropiane. Po ashtu, kjo qeveri dështoi t’i dalë ndihmë ekonomisë dhe qytetarëve të vendit duke mos përmbushur as për së afërmi premtimet për rimëkëmbje ekonomike”, deklaroi ai.

Xhemaj shtoi më tej se mijëra punëtorë po rrezikojnë vendet e tyre të punës, ndërsa qindra biznese janë pranë kolapsit si pasojë e krizës së shkaktuar nga pandemia.

“Qytetarët e Kosovës po varfërohen çdo ditë e më shumë”, pohoi ai.

Zëdhënësi i PDK-së, kritikoi Qeverinë Hoti edhe për mungesë të stabilitetit.

“Kjo qeveri po e dëshmon se është ndër qeveritë me më pak përfaqësues në këto 20 vjet demokraci, qoftë edhe për shkak të jostabilitetit politik nga përplasjet dhe kërcënimet e vazhdueshme brenda partnerëve të koalicionit”.

Sipas Xhemajt, Qeveria Hoti ka dështuar edhe në takimin në Uashington.

“Jo vetëm kaq, kjo qeveri ka dështuar edhe në politikën e jashtme. Është firmos me shkrim heqja dorë nga lobimi për njohje dhe anëtarësimi në organizata ndërkombëtare i Kosovës për një vit. Edhe pse ne si PDK kemi pak besim se mund të kishte sukses në këtë drejtim, edhe nëse nuk do të hiqnin dorë zyrtarisht. Gjithsesi, kjo qeveri dështoi në Uashington të përmbush pritjet e qytetarëve dhe humbi shansin historik për një marrëveshje përfundimtare që siguron njohjen e ndërsjellë Kosovë-Serbi dhe ulësen në OKB”, theksoi ai.

Ndryshe, dy partitë opozitare më herët kanë deklaruar se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja, por nuk kanë shprehur gatishmëri për bashkëpunim në këtë drejtim. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat