Ditë më parë, mbi katër mijë dosje të Gjykatës Speciale u lanë para derës së selisë së Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, nga një person anonim. Drejtuesit e OVL të UÇK-së, kanë deklaruar se në këto dokumente janë edhe emrat dhe adresat e dëshmitarëve dhe personave të tjerë edhe nga Serbia, me të cilët kanë bashkëpunuar hetuesit e Gjykatës Speciale.
Përmbajtja e këtyre dokumenteve të pretenduara është e panjohur dhe nuk dihet ende nëse ato janë origjinale. Lidhur me këtë çështje, njohësi i çështjeve juridike dhe profesori, Riza Smaka, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se manipulimi i këtyre dosjeve në apriori nuk është qëllim mirë.
“Manipulimi me ato dosje në mënyrën e thënë, apriori nuk do të mund të ishte qellim mirë. Gjithsesi në varësi nga këndvështrimi i caktuar do të mund të spekulohej pro et contra”, ka deklaruar Riza Smaka.
Këtë ngjarje, Smaka e ka ndërlidhur me miratimin e Ligjit për Themelimin e Dhomave Speciale Porokuroriale e Gjyqësore me karakter ndërkombëtar dhe mos miratimin e Ligjit për Prokurori dhe Gjykatë Speciale të Republikës së Kosovës.
“Në këtë kontekst do të duhej të ritheksohej se ish Qeveria e Republikës së Kosovës nuk ka qenë dashtë ta propozonte as Kuvendi i RK-së nuk ka qenë dashtë të miratonte Ligjin për Themelimin e Dhomave Speciale Prokuroriale e Gjyqësore të karakterit ndërkombëtar por ka qenë dashtë të propozojë e Kuvendi ta miratonte Ligjin për Prokurori dhe Gjykatë Speciale të RK-së nga të cilat do të procedoheshin penalisht individë të dyshuar për kryerje të krimeve pavarësisht nga përkatësia etnike a kombëtare gjatë periudhës së caktuar”, u shpreh Smaka, përcjell “Bota sot”.
Profesori Smaka deklaroi se është shumë vështirë të vlerësohet manipulimi i këtyre dosjeve, pa u realizuar një hetim meritor i kësaj afere.
“Gjithsesi manipulimi i tillë do të shkaktojë intimidim të pashmangshëm referuar personave të pandehur apo mundësisht të pandehur qe vijimisht do të mund të dilnin të akuzuar për krime lufte. Po ashtu , në mënyrë implicite do të mund të aludohej në dëshmitarë të caktuar dhe për aq të ushtrohej influencë e konsideruar në ta në forma të ndryshme “Vis, Claem , Precario”, tha Smaka.
Në fund, Smaka deklaroi se pavarësisht përmbajtjeve të këtyre dosjeve për ish-pjesëtarët e UÇK-së, funksioni dhe aktiviteti çlirimtar afirmativ, i drejtë, i domosdoshëm dhe i justifikuar moralisht i UÇK-së kurrsesi nuk do të duhet të devalvohej.