Lista sekrete serbe e likuidimit të veprimtarëve shqiptarë (Emrat)

Lajme

Lista sekrete serbe e likuidimit të veprimtarëve shqiptarë (Emrat)

Më: 3 tetor 2020 Në ora: 15:23
Foto ilustrim

Xhaviti ishte intelektual, veprimtar, ideolog. Për veprimtarinë e tij për lirinë e Kosovës u burgos disa herë nga regjimi serb. Por ai kurrë nuk e ndali veprimtarinë e tij për lirinë e Kosovës. Më 17 Shtator 1998, në Prishtinë, kidnapohet nga policia sekrete serbe dhe nga ajo ditë tashmë thuajse plot 21 vjet, nuk ka asnjë shenjë për  fatin e tij. Por si ishte përgatitur kidnapimi i tij?

Emisioni “Udhëve” ka siguruar një dokument ku shihet se si resori i Sigurimit të Shtetit (Resor Drzavne Bezbednosti) në Prishtinë gjatë viteve ‘90-të kishte hartuar disa plane për kapjen dhe likuidimin e aktivistëve politikë, sidomos ata të lëvizjes ilegale të cilët e shihnin rezistencën paqësore si të pamjaftueshme për çlirimin Kosovës.

Një nga këto plane që kemi ndarë nga dokumentet sekrete të cilat i posedon redaksia “Udhëve” është edhe aksioni operativ i emëruar si “KRUG” që në shqip i bjen “RRETHI”, i datës 13 korrik 1998. Plani “KRUG” parashihte masat operative për zbulimin e vendndodhjes, pastaj kapjen dhe eventualisht edhe likuidimin e personave që cilësoheshin si “të rrezikshëm”. Kësaj liste i printe pikërisht Xhavit Haziri. Pas kësaj date filloi gjuetia ndaj veprimtarëve shqiptarë. Disa u burgosën, disa u vranë, disa u zhdukën, e disa prej tyre kishin pasur fatin që mos të kapen nga strukturat e sigurisë së Serbisë.

Në dokumentin që mban firmën e kryeshefit të Sekretariatit të Punëve të Brendshme të Serbisë në Prishtinë, Milan Llakoviq, thuhej:

“Bazuar në të dhënat të verifikuara operative, një numër i caktuar personash janë përfshirë në disa aksione terroriste në rajonin e Podujevës dhe Prishtinës, si pjesëtar të organizatës UÇK. Qendra propozon masa konspirative për kapjen e tyre veç e veç, sipas arrestimit konspirativ të diferencuar në qark, në mënyrë që të mos rrezikohen burimet e informacionit dhe këto arrestime të mos kenë ndikim të mëvonshëm tek personat e tjerë të organizatës”, thuhet në këtë dokument të datës 13.07.1998.

Masat e, siç thuhet në dokument, “arrestimeve konspirative në qark” planifikoheshin kundër këtyre personave: Xhavit Hazirit (1960 - Dëvrar, Vushtrri), Sabit Lahi (1964 - Rimanishtë, Prishtinë), Hyzri Talla (1963 - Letanc, Podujevë), Shaip Haziri (1965 - Prishtinë), Ekrem Gashi nga Matiqani, Sajmir Konushevci, Nuredin Ibishi (1956 - Kolaticë, Podujevë), Sabri Klinaku (1978 - Mazgit, Obiliq), Agron Xhemajli nga Orloviqi, Blerim Dërvishi, Burim Maqedonci, Salih Salihu (1960 - Dumnicë, Podujevë), Haki Prebereza (1965 - Bellaqevc), Arben Talla (1976 - Letanc, Podujevë), Dalip Brahimi, Muhamet Ahmeti, Ramize Abdullahu (1964 - Krilevë, Kamenicë), Isa Karstrati (1947 - Hogosht, Kamenicë), Rrahman Dini (1965 - Prishtinë), Fatmir Ajeti (1966 - Gjilan), Isuf Shalaku, Rukije Pllana etj.

Sipas planit sekret serb, “të gjithë këta persona ishin angazhuar ose të lidhur me Fatmir Humollin, Arif Krasniqin dhe Sabit Gashin - më herët udhëheqës të organizatës LKÇK, e cila i ka takuar organizatës terroriste UÇK dhe vepron si grup terrorist i vendosur në fshatin Zhilivodë të Vushtrrisë. Meqë bëhet fjalë për persona të përfshirë në veprimtari terroriste dhe të armatosur, masat ndaj tyre duhet të jenë agresive dhe me raste duhet të veprohet me përforcim nga organet publike të sigurisë”.

Në bazë të këtij plani del që u rrëmbye e u zhduk veprimtari i hershëm i lëvizjes ilegale dhe njëri nga themeluesit e Ushtrisë  Çlirimtare të Kosovës Xhavit Haziri. Ai u rrëmbye më 17 shtator të vitit 1998 në Prishtinë dhe që prej atij momenti kurrë nuk u kuptua fati i tij. Xhavit Haziri ishte i pari në listën e planit “KRUG” me metodën  “arrestimi konspirativ në qark”.

Ndërsa, i renditur i treti në këtë listë ishte Hyzri Talla. Njëri nga komandantët më të njohur të UÇK-së në Zonën e Llapit, Hyzri Talla, u vra në Prishtinë në një pritë të planifikuar mirë më 2 dhjetor të vitit 1998. Talla u vra bashkë me dy shoqëruesit e tij, Afrim Maliqin dhe Ilir Durmishin.

Ndërsa Isa Kastrati ishte arrestuar menjëherë pas hartimit të kësaj liste. Pasi ishte keqtratuaj mizorisht nga shteti serb ishte liruar pas një muaji. Më vonë ishte vrarë në një pritë në një postbllok të ushtrisë serbe derisa me dy shokë tjerë të UÇK-së po shkonin në zonën e Llapit në shtabin e UÇK-së.

Image
Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat