Grupi ndërkombëtar i krizave: Edhe kufijtë mund të jenë temë e bisedimeve

Lajme

Grupi ndërkombëtar i krizave: Edhe kufijtë mund të jenë temë e bisedimeve

Nga: D.G. Më: 14 tetor 2020 Në ora: 08:11
Guiseppe Fama

Grupi Ndërkombëtar i Krizave ka inkurajuar Bashkimin Evropian për të përcaktuar nëse ka një mundësi për t'u përqëndruar në arritjen e një marrëveshje përfundimtare (midis Serbisë dhe Kosovës) mbi bazën e njohjes reciproke. Por, a e sheh këtë si një skenar të mundshëm Giuseppe Fama, njëri nga autorët e këtij raporti?

Duke u përgjigjur në këtë pyetje të Radios Evropa e Lirë, Fama përkujton se përfaqësuesi i ri i posaçëm i BE-së ka  informuar ministrat e jashtëm të BE-së në një sesion të Këshillit të punëve të jashtme të BE-së (FAC) të hënën (12 tetor) për të fituar mbështetje për strategjinë e tij për bisedimet e fundit midis Beogradit dhe Prishtinës. Gjithashtu, ka shumë vrull midis evropianëve për të ndihmuar në krijimin e një hapi të mundshëm përpara në arritjen e një marrëveshjeje.

Por, thotë ai, se sa shpejt mund të ndodhë kjo është shumë e diskutueshme, sepse balanca mbetet e pandryshuar. Ajo që ne shohim, në fakt, është se Bashkimi Evropian ka ende një pikëpyetje të madhe kur bëhet fjalë për njohjen reciproke, kjo çështje nuk është sqaruar nga mandati dhe kompetencat e përfaqësuesit special të saj.

Veçanërisht është e rëndësishme të arrihet një mirëkuptim i ndërsjellë gjatë konsultimeve se marrëveshja ligjërisht e detyrueshme duhet të përfshijë çështjen e njohjes reciproke. Ne e dimë se ishte veçanërisht e vështirë, duke marrë parasysh faktin që edhe sot, pesë shtete anëtare të BE-së vazhdojnë të mos e njohin Kosovën. Dhe kjo do të kërkojë një diplomaci të mirë dhe të kalibruar, thotë Fama.

"Dy gjëra janë të rëndësishme në këtë drejtim, thotë më tej Fama. "Njëra është se nuk mund të arrihet zgjidhje që do të thotë fitore e plotë vetëm për njërën palë; nuk mund të bëhet fjalë për skenarin në të cilin Serbia ose Kosova do të merrnin gjithçka që dëshironin pa bërë lëshime në të njëjtën kohë.

Tjetra është se Bashkimi Evropian nuk duhet të pengojë Beogradin dhe Prishtinën nga identifikimi dhe diskutimi i zgjidhjeve të mundshme që nuk duhet domosdoshmërisht të jenë në përputhje me ato që rekomandon Brukseli."

Fama thotë se në raportin e Grupit të krizave rekomandojnë që Bashkimi Evropian të përmbahet nga pamundësimi i të dy palëve që të diskutojnë edhe zgjidhje potencialisht të diskutueshme, nga perspektivë e BE-së, siç është shkëmbimi i territoreve.

"Nga prizmi i Bashkimit Evropian, arritja e një autonomie më të gjerë, kryesisht për komunat me shumicë serbe në Kosovë, si dhe për Preshevën në Serbi, do të ishte një alternativë më e mirë, por palët duhet të lejohen të provojnë zgjidhje të tjera në dialog. Pra, ajo që duhet të bëjë diplomacia evropiane është të shmangë përcaktimin e rezultateve paraprakisht, para bisedimeve, dhe të lejojë palët të diskutojnë zgjidhje të tjera që ata i konsiderojnë të pranueshme", thotë ai.

Ai thotë se, siç e kanë identifikuar autorët e studimit, të dyja palët kanë treguar një gatishmëri për të shqyrtuar alternativa, përfshirë shkëmbimin e territoreve, por vë në dukje se kjo, si edhe autonomia për serbët e Kosovës mbetet çështje shumë e ndjeshme, pasi autonomia perceptohet si një zgjidhje potencialisht problematike, veçanërisht në Kosovë.

"Prandaj, një nga mënyrat që Bashkimi Evropian mund të ndihmojë është të ofrojë shansin që disa zgjidhje potenciale të bëhen të qëndrueshme dhe të pranueshme, për të mbështetur këtë komunikim midis të dy palëve në mënyrë që ato të mund t'i testojnë qëndrimet e tyre dhe të diskutojnë gjasat dhe perspektivat e të gjitha këtyre opsioneve. pa iu nënshtruar hakmarrjes ose dënimit publik", thot Fama.

Ai me tej ka thënë se nuk është se vetëm opsionet e ndryshimit të kufijve dhe Asociacioni janë në tavolinë në bisedimet me pjesëmarrësit e dialogut dhe diplomatët evropiane dhe se, natyrisht presin që asnjëra palë të mos presë se do të arrijë rezultat pa bërë lëshime.

"Kur bëhet fjalë për Serbinë, ne po flasim për njohjen e pavarësisë së Kosovës, ndërsa Kosova, nëse përcaktohet për autonominë, mund të sigurojë një autonomi më të gjerë dhe kompetenca më të mëdha për komunat me shumicë serbe, me disa modele evropiane që mund të jenë premtuese në këtë drejtim. Ne mund të konsiderojmë, të themi, Katalonjën spanjolle ose rajonin e Alto Adige në Itali, ku ka një autonomi të gjerë brenda shtetit. Këto janë vetëm disa nga opsionet që Prishtina mund të konsiderojë nëse zgjedh rrugën e autonomisë. Në rastin e shkëmbimit territorial, natyrisht, pozicioni i ardhshëm i komunave veriore të Kosovës do të duhet të zgjidhet", thotë ai.

Ai ka përmendur se kjo mund të bëhet me reciprocitet, me ç'rast e njëjta zgjidhje do të bëhej edhe për Luginën e Preshevës dhe këtë ia kanë rekomanduar BE-së si ndërmjetësuese në dialog.

I pyetur rreth asaj se a mund të shtyjë përpara BE-ja këtë proces, Fama thotë se edhe ShBA-ja mund të luajë rol të rëndësishëm në këtë proces, meqë e kanë ndihmuar Kosovën e pavarur të konsolidojë strategjinë e bisedimeve. "Prandaj, Brukseli, vendet anëtare të BE-së dhe Uashingtoni mund të luajnë një rol shumë të rëndësishëm në arritjen e një marrëveshjeje", thotë ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat