Nuk ndalen serbët, përveç protestës shkaktojnë edhe incident në festivalin “Mirëdita, dobar dan”

Lajme

Nuk ndalen serbët, përveç protestës shkaktojnë edhe incident në festivalin “Mirëdita, dobar dan”

Më: 22 tetor 2020 Në ora: 22:21
Një person tentoi të ndërprejë hapjen e festivalit në Beograd.

Festivali “Mirëdita, dobar dan!” u hap në Beograd, teksa forca të shtuara të sigurisë ruajtën objektin ku po mbahet festivali, pasi qindra protestues e kundërshtuan këtë ngjarje kulturore.

Ky festival ia prezanton publikut skenën kulturore dhe shoqërore të Kosovës.

Festivali mbahet që nga viti 2014 dhe atë e organizon Iniciativa e të rinjve për të drejta të njeriut. Festivali do të zgjasë deri më 24 tetor.

Kundër mbajtjes së këtij festivali protestuan organizatat djathtiste. Disa qindra njerëz, të udhëhequr nga kryetarja e partisë së djathtë serbe “Zavetnici”, Milica Gjurgjeviq Stamenkovski, u mblodhën rreth orës 18:00, kur edhe ishte koha e paralajmëruar për hapjen e festivalit.

Megjithatë, kordoni i policisë qëndroi në mes të protestuesve dhe objektit ku mbahet festivali. Festivali po mbahet në Qendrën për dekontaminim kulturor.

Protestuesit valëvitën flamurin e Serbisë dhe të partisë “Zavetnici”, mbajtën pankarta me fotografi të manastireve që gjenden në Kosovë dhe po brohoritën parulla për Kosovën dhe komente fyese ndaj pjesëmarrësve të këtij festivali.

Një incident i vogël ndodhi gjatë hapjes së festivalit, kur një person është shoqëruar nga policia, pasi ka ndërprerë për një kohë të shkurtër ceremoninë hapëse, duke bërtitur: “Më ktheni në Kosovë”.

Partia Radikale Serbe (SRS), të cilën e drejton i dënuari nga Haga, Vojislav Sheshel, ka paralajmëruar më 21 tetor në faqet vet të internetit që “asnjë shtet serioz nuk do të lejonte që të mbahej festivali ‘Mirëdita, dobar dan!’, sepse bëhet fjalë për propagandë kundër shtetit si dhe për promovim të shtetit të rrejshëm të Kosovës”.

“Aksioni armiqësor i fundit me radhë është i ashtuquajturi festival Mirëdita, dobar dan, festival i cili promovon kinse kulturën e Kosovës dhe në atë mënyrë e pranon shtetin e rrejshëm të Kosovës”, thuhet në komunikatën e Partisë Radikale Serbe, ku gjithashtu është shtuar që “Është padurueshme që njerëzit që janë të lindur si serbë, të promovojnë në mes të Beogradit kinse kulturën e Kosovës dhe në atë mënyrë e njohin shtetin e rrejshëm të Kosovës”.

Ndryshe, siç është paralajmëruar, për shkak të pandemisë së koronavirusit, ky festival do të mbahet duke respektuar masat.

Jeliqi: Festivali ka për qëllim pajtimin

Në hapjen e festivalit, Fiona Jeliqi nga Nisma e të rinjve për të drejtat e njeriut, ka thënë se të rinjve u ka mbetur barra e pajtimit, të të bëmave të gjeneratave të mëhershme. Sipas saj, ky festival është vetëm një mënyrë që të gjithë si shoqëri të bashkohen apo t’i ofrohen këtij qëllimi.

“Ne duam të jemi ata që do të dërgojmë mesazhin e paqes në botë në mënyrë që të ulemi në tavolinën e njëjtë me të rinjtë nga Kosova dhe të shkëmbejmë mendime dhe kulturën. Misioni i festivalit gjithmonë ka qenë bashkimi i njerëzve nga Beogradi dhe Prishtina dhe në kohën kur kufijtë janë të mbyllur dhe kur ekziston një distancë sociale, ne ende jemi vendi për bashkimin e artistëve dhe gazetarëve”, tha Jeliqi gjatë hapjes së Festivalit “Mirëdita, dobar dan!”.

Është njoftuar se në festivalin treditësh do të diskutohet për procesin negociator ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, si dhe për bashkëpunimin ndërmjet të rinjve të shoqërisë shqiptare dhe asaj serbe.

Qëllimi i festivalit, siç është paralajmëruar, është që përmes takimeve të bashkësive kulturore dhe shoqërore kosovare dhe serbe t’i nisë ndryshimet dhe të krijohet një traditë e bashkëpunimit, me të cilën do të jepet kontribut normalizimit të qëndrueshëm të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

Në këtë festival, publikut të Beogradit do t’i paraqiten artistët dhe interpretuesit që përfaqësojnë skenën moderne kulturore të Kosovës.

Shfaqja teatrore “Unë jam vet grua” nga Kushtrim Koliqi, bën edhe hapjen zyrtare të këtij festivali.

Në ditën e dytë, në repertorin e festivalit janë debatet “Kosova-trashëgimia e kujtesës” dhe një ekspozitë me të njëjtin emërtim, ndërkaq ditën e tretë do të ketë debat për drejtësinë tranzicionale në Kosovë, do të ketë shfaqje të Tristan Halilajt, i cili do të lexojë fragmente nga libri i tij “ Richard Gere ka qenë këtu”, përmbledhje e rrëfimeve, e cila është në origjinal është publikuar në gjuhën serbe, si dhe projeksioni i filmit “Shtëpia e Agës”.

Inspirimi për këtë ngjarje kulturore është Bekim Fehmiu, aktor i shqiptar i Kosovës, i cili ka qenë i njohur si aktor në Beograd, në ish-Jugosllavi dhe në botë dhe i cili paraqet simbolin e unitetit dhe skizmës, si dhe mundësinë e ndërlidhjes së dy hapsirave kulturore në një tërësi unike.

Festivali “Mirëdita, dobar dan!”, i cili në Beograd mbahet që nga viti 2014, gjatë viteve të kaluara ka qenë cak i grupeve të djathta dhe të tifozëve, ndërkaq që Qendra për dekontaminimin kulturore (CZKD), në të cilën mbahet një pjesë e programit, në vitin 2018 ishte nën rrethimin policor për shkak të të djathtëve. /Rel

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat