Publikohet një foto e njeriut që e admiron Edi Rama, me 'kasapin' që kreu krime të rënda në Kosovë

Lajme

Publikohet një foto e njeriut që e admiron Edi Rama, me 'kasapin' që kreu krime të rënda në Kosovë

Më: 23 nëntor 2020 Në ora: 15:43
Sinisha Mihajloviç dhe Arkan

Reagime të shumta ka pas një publikim i një letre që Edi Rama ia ka dërguar trajnerit serb Sinisha Mihajloviç.

Ky i fundit, ka qenë mik i ngushtë me Arkanin, që njihet si kasap i Ballkanit. Kjo është njëra ndër fotot që këta të dy kishin realizuar bashkë.

Arkan është i njohur për krimet dhe urrejtjen që kishte ndaj shqiptarëve.

Sinisha Mihajloviç ka pranuar se e kishte pasur mik Arkanin (Željko Ražnatovi?) dhe ishin njohur bashkë që nga koha kur ai luante me Yllin e Kuq të Beogradit.

Mihajloviç ka lindur në provincën kroate të Vukovarit dhe ka nënë kroate e baba serb.

Në rininë e tij ai është shquar për deklarata të forta nacionalistë, madje kur luante me Lacion u kërkoi tifozëve të vendosnin një banderolë në stadium në nder të Arkanit, pak ditë pasi ai u vra. Kujtojmë që Mihajloviç pati një përplasje fizike me Igli taren kur luante me Interin dhe kapiteni i Shqipërisë ishte pjesë e Lacios.

Trajneri serb, ka publikuar së fundmi librin e tij autobiografik dhe mes kujtimeve të hedhura aty, ka zbardhur të plotë edhe mesazhin që ka marrë nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. I referohet periudhës kur trajneri serb ishte i sëmurë dhe po luftonte me leuçeminë. Ish-futbollsti i Crvena Zvezdës, Romës, Lacios, Sampdorias dhe Interit, tregon se numrin e telefonit të Edi Ramës ia kishte dhënë miku i tyre i përbashkët, Aleksandar Vuçiç. “Gjithnjë, nëpërmjet Vuçiçit, mora edhe një mesazh tjetër të bukur nga Edi Rama”, rrëfen ndër të tjera Mihajloviç.

“I dashur mister, jam Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë, ish-lojtar i Kombëtares së basketbollit shqiptar dhe një admirues i vjetër i Sampdorias së Vujadin Boshkovit. E mora numrin tuaj të telefonit nëpërmjet mikut tonë të përbashkët, Aleksandar Vuçiç. Folëm për ju dje në mbrëmje këtu në Novi Sad.

Kam dashur gjithnjë t’ju shprehja admirimin tim për egërsinë me të cilën po përballoni armikun tuaj më të frikshëm të jetës, por edhe për t’ju thënë se pasi keni mundur shumë portierë direkt nga goditjet e dënimit, ju me siguri jeni i zoti të mundni edhe hijen që është vendosur mes jush dhe portës tuaj të së ardhmes.

E di shumë mirë rrezikun që mesazhe të tilla solidariteti mund të bëhen të mërzitshme për një kokëfortë si puna juaj, por ju siguroj se ky i imi nuk është një mesazh i kësaj natyre. Përkundrazi, është shprehje e një admirimi antik.

Ju kërkoj ndjesë që nuk arrita t’ju shpreh më mirë ndjenjën e vlerësimit të lartë dhe simpatisë kundrejt jush, por nëse do të duhej një dëshmitar, atëherë miku ynë i përbashkët mund t’ju sigurojë se, tashmë prej vitesh, nuk ndodh asnjëherë që të mos flasim për ju si një figurë speciale në botën e fut bollit.

Duke ju uruar gjithë të mirat juve dhe të dashurve tuaj, nuk po ju bezdis më me shpresën se një ditë do të mund t’ju takoj personalisht. ER”.”

Kujtojmë se Mihajloviç njihet për komentet e tij radikale kundër Kosovës.

Vite më parë, ai kishte thënë se Kosova është Serbi, pasi shumë shtetas serbë banojnë aty dhe se ata nuk mund t'i dëbojë askush.

 “Kosova është Serbi. Nuk mund të quhet e pavarur pasi aty jetojnë serbë dhe këta të fundit nuk mund t’i dëbosh nga shtëpitë e tyre”.

“Në momentin e bombardimeve isha i grumbulluar me kombëtaren sllave. Në momentin kur gjendja është rënduar, jemi transferuar në Hungari. Kam folur disa herë me Millosheviçin dhe jam takuar me të në zyrën e qeverisë. Në mur mbante të varur fanellën time të Crvena Zvezdas. Gjithnjë më tregonte se ai dhe e gjithë Serbia, ndiheshin krenar me mua”.

Ai ka shkuar edhe më tej kur e ka quajtu mik të tijin paramilitarin serb Arkan që ka kryer masakra në Kosovë. “Arkanin e kam pasur mik. Nuk mund të flas keq për të pasi për mua dhe popullin tim ka qenë një hero. Në jetë kam edhe miq mafiozë, por nuk mund të më etiketoni si të tillë, pasi gjithkush ka personalitetin e tij”.

Mihajloviç në një rast doli në fushë me një bluzë ku i bëhej thirrje NATO-s ta bombardonte atë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat