Gjykata e Posaçme në Hagë refuzon lirimin me kusht të Sali Mustafës

Lajme

Gjykata e Posaçme në Hagë refuzon lirimin me kusht të Sali Mustafës

Më: 25 nëntor 2020 Në ora: 01:45
Sali Mustafa

Gjykata e Posaçme e Kosovës më seli në Hagë, refuzoi kërkesën për lirimin me kusht të ish pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, i akuzuar për krime lufte.

Në vendimin e gjykatësit të procedurës paraprake Nicolas Guillou, thuhet mes tjerash se "pozicioni i Mustafës brenda aparatit të sigurisë dhe zbulimit të Kosovës, i siguron atij qasje në informacione dhe burime që do lehtësonin çdo përpjekje për të ikur; të pengojë procedurat përmes ndërhyrjes te viktimat dhe dëshmitarët, ose të kryejë krime të mëtejshme".

Sali Mustafa, ishte zyrtar i lartë në Drejtorinë e Zbulimit dhe Sigurisë në Ministrinë e Mbrojtjes së Kosovës para se të arrestohej me 24 shtator nën akuzat për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Në paraqitjen e parë para gjykatës ai tha se ndjehet i pafajshëm për të gjitha akuzat.

Avokatët e zotit Mustafa thanë se ai është "paraqitur vullnetarisht për t’u intervistuar nga zyra e Prokurorit të Posaçëm dhe se do të dorëzojë vullnetarisht pasaportën e tij dhe do të paraqitet para gjykatës sipas kërkesës".

Por, Prokuroria e Posaçme tha se zotit Mustafa “i është rritur nxitja për të ikur sepse tash është i vetëdijshëm për mundësinë e dënimit, dhe se rreziku nga ikja është më e madhe marrë parasysh numrin e kufizuar të shteteve me cilat Kosova ka marrëveshje për ekstradim".

Në një njoftim të gjykatës thuhet se çështja e zotit Mustafa do të trajtohet pas dy muajsh kur skadon edhe vendimi për vazhdimin e paraburgimit të tij.

Zoti Mustafa është i arrestuari i parë që nga themelimi i Gjykatës së Posaçme në gusht të vitit 2015 me vendim të parlamentit të Kosovës.

Arrestimi i tij u pasua me arrestimin ish drejtuesve të lartë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi.

Të gjithë akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, përkatësisht për veprat përndjekje dhe burgosje, ndalim arbitrar, akte të tjera çnjerëzore, trajtim mizor, torturë, vrasje, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë të personave.

Që të gjithë i kanë hedhur poshtë akuzat e prokurorisë.

Në një njoftim të Prokurorisë së Posaçme thuhet se procesi gjyqësor ndaj tyre duhet të fillojë jo më vonë së muaji shtator i vitit 2021.

Javën e kaluar avokatët e të akuzuarve thanë se gjykimi nuk mund të fillojë para vitit 2022.

Gjykata e Posaçme pasoi pretendimet e ngritura në raportin e vitit 2011 të hartuar nga i dërguari i Këshillit të Evropës, Dick Martty, i cili ngriti dyshimet për përfshirjen e ish kryengritësve në vrasjen e civilëve serbë dhe kundërshtarëve politik shqiptarë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat