Forca del nga Koalicioni lokal i Ulqinit, kryetari i Kuvendit jep dorëheqje

Lajme

Forca del nga Koalicioni lokal i Ulqinit, kryetari i Kuvendit jep dorëheqje

Nga: Gjeke Gjonaj Më: 24 shkurt 2021 Në ora: 07:50
Forca del nga Koalicioni lokal i Ulqinit, kryetari i Kuvendit jep dorëheqje

Kryetari i Kuvendit të Komunës së Ulqinit Dr. Ilir Çapuni dhe njëheri zyrtar i lartë i Forcës së Re Demokratike ka ofruar dorëheqjen e tij nga kjo pozitë. Po ashtu ai në konferencën e djeshme për media , u  shpreh i zhgënjyer nga modeli i funksionimit të pushtetit vendor duke kërkuar zgjedhje të parakohshme lokale Çapuni në paraqitjen e tij për opinion  pohoi se do të vazhdojnë edhe më fortë, me ekip të ri, qasje të re dhe bisedime të reja për të mirën e qytetarëve të Ulqinit.

Në komunikatën e tij  për shtyp ai nënvizoi: “Të nderuar qytetarë, pas zgjedhjeve të 4 shkurtit të vitit 2018 Forca e Re Demokratike ka nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit me PDS e cila kishte afro 50 vota më shumë, por numër të barabartë këshilltarësh.

Në anën tjetër, PDS ka pasë marrveshje edhe me PD, UDSH dhe SD për përkrahje të gjërë. 

Me një shumicë të gjërë, e cila duhej të garantonte stabilitet politik dhe përkrahje të gjërë nga ana e pushtetit qendror, pas tre viteve funksionim vlerësojmë që ky koalicion nuk ka përmbushur obligimet ndaj qytetareve dhe nuk ka realizuar asnjë pikë nga marrëveshja e nënshkruar nga partnerët e koalicionit për zhvillimin e qytetit të Ulqinit në të gjitha fushat e me fokus të veçantë zhvillimin ekonomik nepërmjet investimeve kapitale dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve.

Sonte jemi ftuar nga PDS për të diskutuar jo për këto çështje, por për të diskutuar për kandidatin e kryetarit të Komunës së Ulqinit. Bëjmë  me dije që Forca e Re Demokratike nuk do të marrë pjesë për arsyet se ne veç kemi deklaruar që nuk do të përkrahim asnjë kandidat nga lista e dëshirave të PDS për të cilën është licituar me emra të ndryshëm duke e devalvuar kështu rolin e kryetarit të Komunës dhe votën e qytetarit.

E ndjejmë obligim moral, profesional, politik e qytetar që të distancohemi nga ky model i funksionimit të pushtetit vendor duke kërkuar zgjedhje të parakohshme lokale.

Rrjedhimisht, ju njoftoj që ofroj dorëheqjen time nga posti i kryetarit të Kuvendit të Komunës së Ulqinit.

Gati tri vjet më parë, kam marrë postin e kryetarit të Kuvendit të Komunës së UIqinit. Kam bërë rrugë të largët deri në vendlindje dhe kam ardhur për të investuar veten time në zhvillimin e këtij qyteti. Kam punuar me përkushtim, nder e profesionalizëm. Me këtë eksperiencë, energji, informata e njohuri edhe për llumin e politikës në Mal të Zi, do të vazhdojmë edhe më fortë, me ekip të ri, qasje të re dhe bisedime të reja për të mirën e qytetarëve të Ulqinit” .

Të  rikujtojmë se dhëheqja e Partisë Demokratike të Socialistëve (PDS) vendosi që kandidat i kësaj parti për postin e kryetarit të Komunës së Ulqinit është Aleksandër Daboviqi. Ai në këtë pozicion do të zëvendësojë Loro Nrekiqin, i cili për shkak të moshës (mbushi 67 vjet) duhet të shkojë në pension. Daboviqi nga viti 2018 mbulon funksionin e arkitektit kryesor të qytetit në Ulqin.

Për emërimin e kryetarit të Komunës së Ulqinit duhen së paku  17 vota në parlamentin lokal të Ulqinit. Dhe këto vota duhet siguruar  mes partnerëve të  Koalicionit qeverisës,   Partisë Demokratike të Socialistëve Partisë Demokratike, Unionit Demokratik të Shqiptarëve, Lidhjes Demokratike të Shqiptarëve në Mal të Zi, Socialdermokratëve dhe Partisë Boshnjake. Mbetet të shohim se si do të deklarohen partitë tjera shqiptare për  këtë çështje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat