Beogradi bën gati përplasjen e re për veriun e Kosovës

Lajme

Beogradi bën gati përplasjen e re për veriun e Kosovës

Më: 28 tetor 2021 Në ora: 14:58
Ilustrim

Serbia bën gati përplasjen më të re me Kosovën për veriun. Gjithçka pritet të ndodhë nga sot, ku qeveria serbe ka ngritur strukturat paramilitare e kriminale të 4 komunave të veriut, për të nisur një “revoltë” të re për energjinë.

Qeveria e Kosovës, ka miratuar muaj më parë një shumë të konsiderueshme parash për të kompensuar mospagimin e faturave të energjisë nga ana e serbëve të veriut, të cilët prej kohësh nuk paguajnë asnjë cent.

Por kjo nuk duket se ka mjaftuar për të mos nisur një sherr të ri, që serbët, mirë që nuk do të paguajnë faturat e prapambetura, por nuk duan të paguajnë edhe nga sot kilovatët që kanë harxhuar.

Siç dihet, prej kohësh, kompania e shpërndarjes së energjisë së Kosovës, është në duart e një konsorciumi nga Turqia, e cila merret me furnizimin me pakicë të konsumatorëve me energji. E kjo kompani, që normalisht ka interes të fitojë e jo të humbë, ka nisur ngritjen e nënstacioneve të energjisë në komunat e veriut, e ka vendosur një sistem të ri tarifimi.

Një nënstacion i tillë është ngritur në komunën e Zveçanit, konkretisht në Valac. Një zhvillim krejt normal, që në radhë të parë, është në interes të qytetarëve të veriut të Kosovës. Të cilët nuk do të kenë ndërprerje rryme dhe rritje cilësie të shërbimit.

Por pikërisht këtë akt krejt administrativ, e për më tepër privat, Beogradi e cilëson si “pushtim të veriut të Kosovës”.

Milorad Dreçun, njeriu besnik i Aleksandër Vuçiçit që drejton Komisionin Parlamentar të Serbisë për Kosovën, ka shpallur sot në televizionin serb se Albin Kurti po pushton veriun dhe ka përgatitur një “provokacje të re”. Duke shpallur se Vuçiçit po i del fjala, ndaj duhet të mobilizohet ushtria.

Por Dreçun, në mënyrë dinake, ja ngjesh KFOR-it, sipas të cilit ai thotë se ka informacionin, sikur kemi të bëjmë me ndonjë sekret të madh.

Ca teknikë të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë së Kosovës, po bëjnë punime në territor, e Dreçun thotë se ka të dhëna nga spiunazhi i KFOR, thua se punimet bëhen nën tokë e jo në dritë të diellit.

“Kjo tregon mundësinë e përgatitjes së veprimeve të njëanshme nga Prishtina në veri të Kosovës dhe se qëllimi i tyre mund të jetë të marrin nënstacionin e Valacit”, tha Dreçun për televizionin serb, kur në fakt si Valaci, e si Zveçani janë pjesë e Republikës së Kosovës.

Nënstacioni i Valacit është shumë i rëndësishëm për Kosovën, pasi nuk furnizon vetëm banorët e veriut, por tërë vendin. Sipas Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë, nga aty shpërndahet energjia për 80 përqind të territorit të Kosovës. Pra kemi të bëjmë me një problem shumë strategjik.

Data e rrezikshme është 6 nëntori, ku sipas ligjit të miratuar nga Parlamenti i Kosovës, skadon moratoriumi për banorët e veriut që të mos paguajnë energjinë.

Nga 6 nëntori, kush nuk paguan energji nga serbët e veriut do t’i pritet rryma.

E për këtë, Beogradi ka përgatitur një revoltë, vetëm e vetëm që Prishtina të tërhiqet e serbët të ngrohen e ndriçohen pa paguar asnjë cent, siç kanë bërë për 20 vjet me radhë..

Mediat serbe po flasin prej sot për dërgimin të njësive ROSU në veri për çështjen e energjisë, për të provokuar një trazirë të re.

Por këtu nis kleçka, pasi njeriu i Vuçiçit në Parlamentin serb, i ka bërë thirrje Erdoganit, që meqë kompania e shpërndarjes së energjisë në Kosovë është turke, të ndikojë që të mos ketë asnjë investim në veri.

“Turqia është sigurisht një nga palët e interesuara dhe sigurisht që ka disa aktivitete në atë zonë. Ndaj mendoj se qeveria turke mund të ndikojë që Prishtina të heqë dorë nga veprimet e njëanshme në veri, sepse kjo nuk çon në asnjë zgjidhje, por sjell një destabilizim të ri”, tha Dreçun.

Këtu nuk ka lidhje as Turqia e as Serbia, madje as qeveria e Kosovës, meqë kemi të bëjmë me operator privat.

Por duket se po bëhet gati skenari i nxjerrjes së barrikadave e kamionëve të rëndë, ngaqë këtë serbët dinë ta bëjnë mirë…

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat