Gjukanoviq e lë të hapur mundësinë e korrigjimit të kufirit

Lajme

Gjukanoviq e lë të hapur mundësinë e korrigjimit të kufirit

Më: 18 maj 2022 Në ora: 22:04
Milo Gjukanoviq

Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, e ka lënë të hapur mundësinë e korrigjimit të kufirit Kosovë – Mali i Zi.

Ai, në një intervistë në RTK, ka thënë se marrëveshja për demarkacionin është mbyllur, por sipas tij, ekziston mundësia që gjatë punës së Komisionit të Përbashkët në terren të korrigjohen disa gjëra.

“Mali i Zi ka një politikë shtetërore serioze. Që në vitin 2015 në Vjenë në Samitin e procesit të Berlinit është nënshkruar një marrëveshje mes Malit të Zi dhe Kosovës për demarkacionin e kufirit. Gjithashtu dua të ju rikujtoj se Mali i Zi është vendi i vetëm nga territori i ish-Jugosllavisë që ka nënshkruar dy marrëveshje ndërshtetërore për demarkacionin, një me Kosovën dhe një me Bosnje e Hercegovinën, kështu që ne i shqyrtojmë me shumë seriozitet çështjet e hapura që kanë mbetur nga disolucioni i Jugosllavisë dhe mundohemi që në bashkëpunim me vendet e tjera dhe fqinjët tanë t’i zgjedhim çështjet që na hapen ndërkohë. Një nga këto çështje është edhe ajo e demarkacionit”, ka theksuar Gjukanoviq.

Ai po ka rikujtuar se dy presidentët Vujanoviq dhe Thaçi në vitin 2018 e kanë miratuar një deklaratë të përbashkët, ku janë nisur nga fakti se është nënshkruar marrëveshja e cila duhet të ratifikohet në Kuvendet e të dyja shteteve për të formuar më pas një Komision të Përbashkët, i cili do të merret me demarkacionin në kuptimin teknik.

“Brenda kësaj nënkuptohet nuk është ndonjë specifikë e marrëdhënieve tona, kjo është një zgjedhje e zakonshme që ky komision i përbashkët të ketë mundësi t’i zbatojë disa korrigjime që do të jenë në interesin e përbashkët, e të cilat do të jenë të dakorduara e që do t’i kontribuojnë mirëkuptimit dhe besimit të ndërsjellë dhe zgjedhjes më të suksesshme. Nëse më pyesni nëse kjo çështje është zgjidhur, përgjigja ime është ‘Po’, dhe nëse duhet ta përmbyllim këtë proces të demarkacionit në terren sepse akoma nuk është mbyllur përgjigja ime është sërish ‘Po’. Besoj se në të ardhmen e afërt do ta përmbyllim këtë çështje”, ka shtuar Gjukanoviq.

A po e lë të hapur mundësinë që dilemat që janë për pjesë të caktuara të kufirit edhe mund të korrigjohen?

“Ashtu siç e thashë marrëveshja për demarkacion ndërmjet dy vendeve tona është miratuar. Pas kësaj vazhdon pjesa teknike e punës. Komisioni i përbashkët do të dalë në terren duhet ta vizatojë në mënyrë precize këtë kufi dhe nëse në këtë çështje tregohet se është e logjikshme se disa gjëra duhet të korrigjohen dhe aty ekziston marrëveshja e dy palëve kjo nënkupton se do të bëhet në frymën e miqësisë dhe respektit të interesave të ndërsjella. Unë nisem gjithmonë nga pika se Mali i Zi dhe Kosova janë miq dhe në mënyrë të përgjegjshme do ta ruajmë miqësinë tonë dhe do të provojmë që pikërisht me këtë miqësi të valorizojmë potencialet e shumta të bashkëpunimit tonë”, tha ai.

Ai tutje ka thënë se Mali i Zi dhe Kosova udhëhiqen nga njerëz serioz, të cilët do të punojnë që t’i kontribuojnë miqësisë së përbashkët e jo që të krijojnë probleme të reja, sepse sipas tij në këtë rajon edhe ashtu kemi probleme me tepricë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat