Si ndryshoi Beogradi për Abazoviqin, Krivokapiq ishte pritur nga ministri i bujqësisë me xhinse

Lajme

Si ndryshoi Beogradi për Abazoviqin, Krivokapiq ishte pritur nga ministri i bujqësisë me xhinse

Më: 30 qershor 2022 Në ora: 15:20
Foto nga takimet

Kryeministri malazez Dritan Abazoviq ka mbërritur dje për një vizitë dyditore në Serbi me ftesë të kryeministres serbe Ana Brnabiq. Abazoviq është pritur me nderimet më të larta shtetërore, për të cilat ka folur edhe vetë. Por, në nëntor të vitit të kaluar Beogradin e kishte vizituar edhe kryeministri i atëhershëm malazez, Zdravko Krivokapiq, por me “nderime” krejtësisht të ndryshme.

Krivokapiqin në atë kohë në aeroport nuk e kishte pritur fare homologia e tij serbe Ana Brnabiq, por ministri i Bujqësisë Branislav Nedimoviq dhe atë i veshur me xhinse, shkruan Nova.rs.

Siç shkruan Nova, vizita e parë zyrtare e kryeministrit malazez në Serbi nuk i ngjante ardhjes së zyrtarëve të tjerë të lartë nga jashtë. Kryeministrja serbe Ana Brnabiq dhe presidenti serb Aleksander Vuçiq s’kishin dalë fare aeroport.

Krivokapiq ishte pritur nga ministri Nedimoviq, jashtë të gjitha protokolleve. Ai s’kishte veshur fare kostum për këtë rast, por kishte shkuar në aeroportin “Nikola Tesla” me xhinse.

Fotoja e këtij takimi ka bërë xhiron e shpejtë të mediave rajonale. Lidhur me pritjen që i ishte bërë Krivokapiqit kishte pasur kritika të shumta në adresë të ministrit serb që kisthe dalë me xhinse në aeroport.

Vetë Krivokapiq në konferencën për media kishte folur për pritje dhe kishte deklaruar se nuk i ka kushtuar rëndësi kombinimit të veshjeve të ministrit të Bujqësisë Nedimoviq.

“Po më futni në një situatë skandali diplomatik dhe nuk jam marrë asnjëherë me skandale. Kisha një periudhë kohe të lirë, të cilën nuk doja ta shfrytëzoja, përveçse në punë”, kishte thënë atë kohë Krivokapiq.

Si ndryshoi gjithçka pas 7 muajsh?

Në ndërkohë, Krivokapiqit iu dha një votë mosbesimi dhe ish-partneri i tij i koalicionit Dritan Abazoviq mori postin e kryeministrit.

Me ftesë të kryeministres Brnabiq, Abazoviq ndodhet në një vizitë dyditore në Beograd, por është pritur sipas një protokolli krejt tjetër.

Ai u prit në aeroport me nderimet më të larta shtetërore nga kryeministrja serbe Brnabiq, pas së cilës u mbajt një pritje solemne para Pallatit të Serbisë.

Kryeministri malazez është shfaqur i kënaqur me pritjen në Beograd, për të cilën ka shkruar në rrjetet sociale orët e fundit.

“Sot Beogradi është dekoruar me flamujt e dy vendeve vëllazërore. Faleminderit nikoqirëve për pritjen e mrekullueshme! Ne po kthejmë një fletë të re – po tregojmë se të dy vendet mund të jenë të ndryshëm dhe më të mirë,” ka shkruar Abazoviq.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat