Shtatë persona humbën jetën në vendin e punës gjatë këtij viti në Kosovë

Lajme

Shtatë persona humbën jetën në vendin e punës gjatë këtij viti në Kosovë

Më: 17 gusht 2022 Në ora: 11:15
Foto ilustrim

Siguria në punë vazhdon të jetë problem për punëtorët kosovarë. Si rezultat i saj, këtë vit, deri tani, 7 persona kanë humbur jetën në vendin e punës e 173 kanë pësuar aksidente, tregon për Radio Kosovën, kryeinspektori i punës, Hekuran Nikçi. Ai thotë se gjatë këtij viti kanë realizuar mbi 3 mijë e 100 inspektime, e për shkeljet gjetura kanë shqiptuar 175 masa ndëshkimore ndaj punëdhënësve.

Si pasojë e kushteve jo të mira dhe sigurisë së pamjaftueshme në punë, vazhdojnë të pësojnë një numër i konsiderueshëm i punëtorëve, me vdekje apo lëndime në vendin e punës.

Kryeinspektori i Inspektoratit të Punës, Hekuran Nikçi, tregon për Radio Kosovën se numri i rasteve të vdekjeve dhe të lënduarave në vendin e punës ka shënuar rritje, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

“Gjatë kësaj periudhe janë evidentuar 173 aksidente në vendin e punës nga të cilat 7 janë me fatalitet. Në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kemi evidentuar 104 raste të aksidentit në vendet e punës prej tyre 4 me fatalitet, që do të thotë se gjatë kësaj periudhe kemi një rritje të rasteve me fatalitet për tre”, tha ai.

Në rastet e aksidenteve në vendpune, kur inspektorët kanë konstatuar se është shkelur ligji nga ana e punëdhënësve, ndaj tyre janë shqiptuar masa ndëshkimore – gjoba me para. Sipas ligjit, këto mund të jenë deri në 40 mijë euro, thotë tutje Nikçi, i cili tregon për numrin e kontrolleve që ka bërë Inspektorati i Punës gjatë këtij viti.

“Gjatë kësaj periudhe kohore Inspektorati i Punës ka realizuar 3 mijë e 178 Inspektime. Gjatë inspektimeve është konstatuar se numri më i madh i shkeljeve të të drejtave të të punësuarve është në sektorin e ndërtimit që kanë të bëjnë me kushtet e punës, pastaj prodhimtaria dhe gastronomia ku është konstatuar se ka punëtorë pa kontrata apo që nuk janë të deklaruar në ATK”, tha ai.

Kryeinspektori i Inspektoratit të Punës, Hekuran Nikçi tregoi tutje se pas kontrolleve të bëra, deri tani ndaj punëdhënësve të cilët kanë cenuar legjislacionin që mbikëqyr Inspektorati i Punës kanë shqiptuar 175 masa ndëshkimore, të cilat thotë se dallojnë varësisht nga shkeljet ligjore që janë konstatuar nga inspektorët në teren.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat