E dhimbshme: E mitura në Shtime tenton t’i japë fund jetës pasi grindet me familjarët e saj

Lajme

E dhimbshme: E mitura në Shtime tenton t’i japë fund jetës pasi grindet me familjarët e saj

Më: 5 janar 2023 Në ora: 13:48
Foto ilustrim

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së hënës në rrugën ’14 Dhjetori’ në Shtime, ku një vajzë e mitur dyshohet se ka tentuar t’i japë fund jetës së saj.

Burimet brenda Emergjencës së Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Shtime kanë bërë me dije se e mitura ishte dërguar atje në gjendje të rëndë për shkak se kishte konsumuar preparate kimike që përdoren për pastrim, e njohur si ‘kiselinë’.

Pas intervenimit të menjëhershëm të stafit mjekësor, gjendja e saj shëndetësore është stabilizuar dhe ajo ndodhet jashtë rrezikut për jetë, mirëpo është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor.

Ndërkohë, media mëson se lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia, të cilët kanë marrë veprimet e para hetimore për të zbardhur rrethanat e ngjarjes, ashtu që kanë nisur mbledhjen e informacioneve të para.

Sipas burimeve, motivi që dyshohet se shtyu të miturën të bëjë këtë veprim janë mosmarrëveshjet që kishte me familjarët e saj.

Për këtë është intervistuar babai i të miturës, ndërkohë që pritet të intervistohet edhe vetë ajo.

Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Vetëvrasje në tentativë’.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat