Seanca për planin franko gjerman, kaos në Kuvendin e Serbisë, deputetët e opozitës i sulen Vuçiqit

Lajme

Seanca për planin franko gjerman, kaos në Kuvendin e Serbisë, deputetët e opozitës i sulen Vuçiqit

Më: 2 shkurt 2023 Në ora: 14:07 Përditësuar në ora: 15:37 më 02.02.2023
Pamje nga parlamenti serb

​Përplasje e grushta në Kuvendin serb rreth Kosovës

Seanca e posaçme në Kuvendin e Serbisë, ku po diskutohet për Kosovën, po përcillet me përplasje verbale dhe fizike mes deputetëve të opozitës dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Në seancën për Kosovën në Kuvendin e Serbisë të pranishëm ishin edhe përfaqësues të Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë.

Në mesin e tyre është edhe Millan Radoiçiq, nënkryetari i Listës Serbe, që është nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së Madhe.

Vuçiq në këtë seancë ka folur për planin evropian për normalizimin e raporteve me Kosovën, teksa opozita e ka cilësuar këtë plan si “kapitullim për Serbinë”.

Ndërkohë, presidenti serb Vuçiq ka mohuar këtë kapitullim.

Vuçiq: Kapitullimi dhe dorëzimi nuk janë opsion

“Nëse vjen deri te ajo Kosova në Kombet e Bashkuara po apo jo dhe të përfundoj me këtë, ndryshe nga ju, për mua si president i Serbisë, kushtetuta është libër i shenjtë, kapitullimi dhe dorëzimi nuk janë opsion dhe e di se çfarë do të bëj dhe të përfundoj me këtë, mes qëndrimit tim në pushtet në mandatin që ma garanton kushtetuta, të cilin nuk mund të ma shkurtoni, ta zvogëloni apo ndryshoni, e di se çfarë duhet të bëj sepse nuk ka zgjedhje mes Vuçiqit apo Serbisë, Vuçiq është gjithmonë në anën e Serbisë dhe unë do të zgjedh Serbinë”, tha ai.

Plani franko-gjerman tashmë është bërë propozim i Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Ky dokument ka marrë mbështetjen edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky plan nuk është bërë publik, por ai iu prezantua Beogradit dhe Prishtinës, në shtator dhe dhjetor të vitit 2022.

Në atë dokument, nuk përmendet në mënyrë eksplicite njohja reciproke apo anëtarësimi i Kosovës në Kombet e Bashkuara. Por, në dokument përmendet mbështetja që palët duhet t’i japin njëra-tjetrës në procesin e integrimeve evropiane. Gjithashtu, Serbisë i kërkohet që të mos pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Ndërmjetësuesit evropianë dhe amerikanë në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë angazhuar muajt e fundit për të përfunduar këtë proces.

Për këtë qëllim, propozimi evropian, i njohur si propozimi franko-gjerman, iu dorëzua dy palëve.

Ekipi i diplomatëve, gjatë muajve të kaluar, ka vizituar disa herë Prishtinën dhe Beogradin.

Kosova dhe Serbia, që nga viti 2011 po zhvillojnë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, nën ndërmjetësimin e BE-së.

Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008, të cilën Serbia nuk e njeh. Muajt e fundit, marrëdhëniet mes dy vendeve u karakterizuan me incidente dhe tensione.

---------------

Kuvendi i Serbisë është përfshirë në një kaos derisa disa deputetë të opozitës nga radhët e “Dveri” janë sulur drejt presidentit të Serbisë, Aleksander Vucic.

Siç raporton “Blic” pas kësaj ka ndërhyrë menjëherë sigurimi.

Opozitarët serbë kanë thirrur “tradhti, tradhti” dhe “Kosova është zemra e Serbisë” dhe më pas janë nisur drejt vendit ku Vuçiq ishte i ulur.

Videon mund ta ndiqni KETU

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat